21:48 / E Martë, 08 Maj 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: Iowa, e gatshme të sjell në universitete tona përvojat më të mira nga atje

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur sot në takim delegacionin e Iowas, me të cilët ka biseduar për bashkëpunim në fushën e arsimit.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka shkruar se MAShT është e gatshme që të gjejë format më të përshtatshme të bashkëpunimit me institucionet arsimore të Iowa-s, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, presidenti i Kolegjit (Des Moines Area Community College), Rob Denson, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizmin e projekteve të përbashkëta me universitetet e Kosovës dhe bartjen e përvojave më të mira nga universitetet e Ioëa-s.

Ky është postimi i plotë i Bytyqit:

Sot, prita në takim një delegacion të shtetit të Iowa-s, të kryesuar nga presidenti i Kolegjit (Des Moines Area Community College), Rob Denson me të cilët kam biseduar për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e edukimit, me theks të veçantë mobilitetin e studentëve dhe profesorëve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me universitetet e Iowa-s.

MAShT është e gatshme që të gjejë format më të përshtatshme të bashkëpunimit me institucionet arsimore të Iowa-s.

Fillimisht diskutova për përvojën e mirë dhe mbështetjen që kisha marrë gjatë vizitës disaditore në Iowa, dhe ardhja e presidentit Denson në Kosovë mundëson fillimin e bashkëpunimit konkret, funksionalizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e mobiliteteve të studentëve dhe profesorëve dhe trajnimin e trajnerëve në fushën e bujqësisë për shkollat profesionale në Kosovë.

Diskutimet e hapura të cilat i kemi pasur me institucionet arsimore në Iowa na kanë dhënë mundësi që të themi, po e kemi gjetur vendin i cili më së shumti mund të na ndihmojë në sistemin arsimor.

Presidenti i Kolegjit (Des Moines Area Community College), Rob Denson, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizmin e projekteve të përbashkëta me universitetet e Kosovës dhe bartjen e përvojave më të mira nga universitetet e Iowa-s. /Indeksonline/