11:53 / E Enjte, 18 Janar 2018 / indeksADMonline

Bytyqi: Peja e përkrahë profilizimin e mësimdhënësve (Foto)

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka qëndruar sot në komunën e Pejës, ku bashkë me kryetarin Gazmend Muhaxheri kanë diskutuar për thellim të bashkëpunimit në fushën e arsimit.

Ministri ka bërë me dije se temë diskutimi ishte ngritja e cilësisë në arsim, si dhe përgatitja dhe hapat që duhet ndërmarrë për testin e PISA-s.

“Sot isha për një vizitë pune në qytetin e Pejës, me ç’rast zhvillova një takim pune me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri. Qëllimi i kësaj vizite ishte që te diskutojmë për thellimin e bashkëpunimit mes MAShT dhe komunës së Pejës në fushën e arsimit, me qëllim të ngritjes së cilësisë. Bashkë me kryetarin e Pejës biseduam për një angazhim sa më të madh rreth përgatitjeve dhe hapave që duhet të ndërmarrim rreth Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA 2018”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e tij në Facebook, përcjellë Indeksonline.

Ndër tjerash, Bytyqi ka thënë se me Muhaxherin kanë folur rreth profilizimit të mësimdhënësve.

“Gjithashtu gjatë këtij takimi diskutuam edhe rreth profilizimit të mësimdhënësve nga klasa I-V, reformë kjo e cila po përkrahet edhe nga komuna e Pejës. Po ashtu folëm edhe për shkollat profesionale, pasurimin e tyre me programe të reja dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjeve me bizneset në menyrë që ti fuqizojmë këto shkolla. Gjatë qëndrimit në Pejë, vizitova edhe shkollën e mesme të ulët “Asdreni”, ku për së afërmi u njoha me punën që bëhet, si dhe me zbatimin e kurrikulës së re shkollore”, ka thënë ai./Indeksonline/