19:02 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Bytyqi takon Këshillin Drejtues, për shqetësimin e Rektorit të UP-së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka folur për shqetësimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili ka kërkuar të mos ndërhyhet nga MASHT-i në Autonominë e Universitetit.

Bytyqi ka takuar Këshillin Drejtues për shkakun e kësaj kërkese të rektorit dhe po ashtu për të rivënë në vëmendje se nepotizmi e fenomene tjera të liga nuk duhet të lejohen të ndikojnë proceset në Universitet, transmeton ‘Indeksonline’.

I pari i MASHT-it ka thënë se stafi i munguar sigurisht se ka penguar që Universiteti të plotësoj kritere të rëndësishme të arritshmërisë. Sipas tij, mosplotësimi në kohë i boshllëkut me staf akademik është shqetësim për Ministrinë.

Postimi i plotë:

Duke e marrë si shkas shqetësimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” z. Marjan Dema, të shprehur në media, ku kërkon të mos ndërhyhet nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë në Autonominë e Universitetit, sot kam ftuar në takim Këshillin Drejtues për të marrë informatë të afërt për shkakun e kësaj kërkese të rektorit dhe për të rivënë në vëmendje se nepotizmi e fenomene tjera të liga nuk duhet të lejohen të ndikojnë proceset në Universitet.

Stafi i munguar sigurisht se ka penguar që Universiteti të plotësoj kritere të rëndësishme të arritshmërisë. Mosplotësimi në kohë i boshllëkut me staf akademik është shqetësim për Ministrinë. Thërras autoritetet e Universitetit veçanërisht Këshillin Drejtues të pikëtojë shkaqet e mos reagimit në kohë dhe të ndërmerr masa që kjo gjendje të mos vazhdoj kështu.

Opinioni i Avokatit të popullit mbi Parandalimin e Nepotizmit në Universitetin e Prishtinës, me numër protokolli 481/2018, i datës 16 mars 2018, krahas gjithë gamës së veprimeve për parandalimin e deformimit të procesit përzgjedhës të stafit, është një obligim shtesë për Këshillin e Etikës dhe të gjitha organet e Universitetit.

Mbesim me shpresë që procesi do mbetet i pa deformuar dhe kështu do të kemi staf Akademik kredibil, i cili do të plotësoj boshllëkun e deritashëm. Ministria mbetet e përkushtuar për të respektuar pavarësinë e Arsimit të Lartë dhe në këtë e siguron Rektorin Dema, por nuk do mbetet e pavëmendshme për proceset që paraqiten me deformime qoftë për çfarëdo shkaku, të kujtdo, në shkollimin e lartë e kudo tjetër. Shoqëria jonë më nuk do të pajtohet me asnjë individ që deformon Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.

E thërrasim Këshillin Shtetëror të Cilësisë të ketë vëmendjen profesionale në procesin e Akreditimit. Arsimi i Lartë nuk duhet të lejojmë të bëhet as shtëpi nepotizmi e as arenë korruptive, por të jetë një garancë dhe shtëpi ku nxjerrën kuadro cilësorë për shoqërinë tonë./Indeksonline/