21:11 / E Premte, 07 Shtator 2018 / indeksADMonline

Bytyqi viziton tri shkolla të Deçanit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka vizituar tri shkolla fillore të kësaj komune. Bytyqi ka thënë se në këto shkolla ka biseduar me udhëheqësit e shkollave, mësimdhënës e nxënës për të arriturat në këto shkolla.

“Ne jemi të gatshëm të vizitojmë sa më shumë edhe komunat tjera, në mënyrë që bashkëpunimi ynë të jetë sa më i afërt. Kjo afërsi dhe ky bashkëpunim do të na qojë drejt synimit të përbashkët që të kemi një sistem arsimor çfarë po pretendojmë dhe jemi në rrugë të mirë për të realizuar këtë qëllim”, ka shkruar ndër të tjerash Bytyqi.

Shkrimi i plotë:

Sot, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, kam qëndruar në Deçan, ku kam vizituar tri shkolla të kësaj komune dhe kam biseduar me udhëheqësit e shkollave, mësimdhënës e nxënës për të arriturat në këto shkolla.

Pas vizitave në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Isa Boletini” në Isniq, (e cila sot shënoi 70 vjetorin e themelimit), në Shkollën e Mesme Teknike “Tafil Kasumaj” dhe në atë “Lidhja e Prizrenit”, u shpreha i kënaqur për punën që po bëhet në ato shkolla.

Duke folur për arsimin profesional në shkollën “Tafil Kasumaj”, pasi që vizitova kabinetet dhe ambientet tjera të kësaj shkolle, theksova edhe faktin se kjo shkollë është në një fazë shumë të rëndësishme, pra në fazën e validimit të profileve.

Edhe këtu u pa një angazhim i jashtëzakonshëm edhe i menaxhmentit, edhe i mësimdhënësve, por mbi të gjitha ishte kënaqësi t’i shohim nxënësit se si ata po përgatiten me kompetenca dhe shkathtësi të mjaftueshme, në mënyrë që pas mbarimit të shkollës të jenë të gatshëm për tregun e punës.

Puna në këtë shkollë është shembull i mirë i asaj se si bëhet një punë e madhe në arsim dhe për këtë jam informuar nga menaxhmenti i shkollës se edhe mësimdhënësit janë shumë të përgatitur dhe e ushtrojnë me përkushtim profesionin e tyre.

Ne jemi të gatshëm të vizitojmë sa më shumë edhe komunat tjera, në mënyrë që bashkëpunimi ynë të jetë sa më i afërt. Kjo afërsi dhe ky bashkëpunim do të na qojë drejt synimit të përbashkët që të kemi një sistem arsimor çfarë po pretendojmë dhe jemi në rrugë të mirë për të realizuar këtë qëllim.

Vizita në Deçan është bërë në vazhdën e vizitave që po iu bëjmë komunave dhe shkollave të Kosovës për të parë nga afër punën që po bëhet, të arriturat dhe sfidat, por edhe për të krijuar një bashkëpunim më të mirë, në mënyrë që me bashkëpunimin e të gjithë akterëve të arrihet synimi për ngritje të cilësisë në arsim./Indeksonline/