16:32 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Çaji i nxehtë, duhani dhe alkooli ju rrezikojnë nga ky lloj i kancerit

Njerëzit që pinë çaj të nxehtë janë në rrezik shumë më të madh për zhvillimin e kancerit të ezofagut (fytit), kur kombinohen me duhan e alkool thuhet në një studim.

Hulumtimi është kryer në Kinë dhe ka pasur për studim eksplorimin e lidhjes midis çajit të nxehtë dhe kancerit të fytit.

Ndonëse edhe më herët është provuar të vihet në një rezultat rreth pijeve të nxehta, asnjëherë deri më tani nuk është ardhur në përfundime.

Kjo ka qenë arsyeja pse studiuesit vendosën të vlerësojnë edhe njëherë këtë korrelacion. Përfundimi ka qenë se pirja e çajit të nxehtë zhvillon kancerin e ezofagut, sidomos kur kombinohet me duhan e alkool.

Ky studim u botua në “Analet e Mjekësisë së Brendshme” dhe morën pjesë rreth 450,000 persona në 10 zona të ndryshme të Kinës gjatë një periudhe nëntëvjeçare.

Mosha e pjesëmarrësve ishte nga 30 vjeç deri në 79 vjeç.

Njerëzit që kishin kancer qysh në fillim të studimit u eliminuan nga pjesëmarrja.

Deri në fund të këtij studimi nëntëvjeçar 1,731 raste u raportuan me kancer të ezofagut./Indeksonline/