21:22 / E Enjte, 13 Qershor 2019 / indeksADMonline

Cakaj merr mbështetje nga Gjermania për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE

Ministri i Jashtë i Shqipërisë, Gent Cakaj gjatë ditës së sotme është takuar me homologun e tij nga Gjermania, Heiko Maas.

Cakaj në një postim në Facebook ka thënë se në këtë takim ata nënvizuan rëndësinë e konsolidimit të mëtejmë të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria.

Ai tutje tha se u bisedua për format e mundshme të bashkëpunimit të mëtejm në kuadër të OSBE.

Statusi i tij i plotë:

Sot në Berlin zhvillova një takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, z. Heiko Maas

Në takim u nënvizua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor. Ashtu siç u theksua edhe në deklarimet për shtyp, progresi i Shqipërisë është substancial dhe reforma e saj në drejtësi një model shembullor për rajonin!

Ministria e Jashtme e Gjermanisë mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë menjëherë. Këtë fakt Ministri Maas e deklaroi edhe publikisht në konferencën për shtyp. Mbi të gjitha, ky është një lajm i mirë për Shqipërinë.

Po ashtu, në takim diskutuam edhe për format e mundshme të bashkëpunimit të mëtejmë në kuadër të OSBE. Si kryesuese e OSBE në vitin 2020, Shqipëria është duke marrë vazhdimisht mbështetjen politike dhe teknike të Gjermanisë.

Kultivimi i marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë është thelbësor për vetë diplomacinë shqiptare.