13:48 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Cakaj: Merret vendimi për hapjen e Konsullatës së përgjithshme, në Strugë

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka marrë vendimin për hapjen e Konsullatës së përgjithshme në Strugë, në Maqedoninë e Veriut.

Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një postim në rrjetin e tij në Facebook.

Cakaj theksoi në postim, se ky vendim është në përputhje me planin për të thelluar marrëdhënien e shtuar të ndërveprimit me shqiptarët në rajon.

Rrethi konsullor i kësaj qendre do të përfshijë Strugën, Ohrin, Manastirin, Kërçovën, Dibrën, Gjevgjelinë, Resnjën/ rajoni liqeni i Prespës. Kjo konsullatë do të ketë rol të veçantë edhe në nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike, shoqërore e kulturore midis tyre dhe Republikës së Shqipërisë.

“Ne do të vazhdojmë marrjen e masave të reja në shërbim të forcimit të lidhjeve me shqiptarët dhe lartësimit të faktorit shqiptar në rajon!” siguroi Kryediplomati në përfundim të reagimit të tij.