75 Mall Live Search
23:24 / E Shtunë, 27 Qershor 2026 / MSH1

SHSKUK anulon tenderin për furnizim me oksigjen medicinal, oferta e vetme tejkaloi buxhetin

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizimin me oksigjen medicinal, i cili ishte planifikuar për nevojat e institucioneve shëndetësore në kuadër të SHSKUK-së.

Sipas njoftimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, në këtë procedurë ishte pranuar vetëm një ofertë, ndërsa autoriteti kontraktues vendosi ta ndërpresë procesin pasi çmimi i ofertës tejkalonte në mënyrë substanciale buxhetin e paraparë për këtë furnizim, raporton IndeksOnline.

SHSKUK ka bërë të ditur se anulimi është mbështetur në dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, i cili parashikon anulimin e aktivitetit kur të gjitha ofertat e përgjegjshme kanë çmime që tejkalojnë ndjeshëm buxhetin e autoritetit kontraktues.

Aktiviteti i prokurimit ishte publikuar më 22 maj dhe parashihte lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për furnizimin me oksigjen medicinal për nevojat e SHSKUK-së, ndërsa kriter për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët.

Vlera e parashikuar për tenderin ishte 445,567.50 euro.

Me anulimin e këtij tenderi, SHSKUK pritet të ndërmarrë hapa të tjerë për të siguruar furnizimin me oksigjen medicinal, një produkt esencial për funksionimin e shërbimeve spitalore./IndeksOnline/