12:40 / E Hënë, 13 Maj 2019 / indeksADMonline

Cakaj njofton për vendimin e Qeverisë që ua lehtëson qytetarëve hyrjen në treg të punës

Ministri i Jashtëm shqiptar, Gent Cakaj ka dhënë një njoftim për personat me shtetësi shqiptare, që jetojnë në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Në një postim në Facebook, Cakaj ka shkruar se Qeveria ka marr vendim të përjashtoj nga detyrimi me pajisje për leje pune këta qytetarë, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, ky vendim krijon lehtësia për hyrjen në tregun e punës së Shqipërisë.

Më poshtë postimi i Cakajt:

Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për përjashtimin nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi për punë të gjithë shtetasit me përkatësi etnike shqiptare nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Ky vendim krijon të njëjtat lehtësira për hyrje në tregun e punës në Shqipëri për shqiptarët nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut sikurse ato që tashmë gëzojnë shqiptarët nga Kosova dhe Lugina e Preshevës.

Ky vendim është pjesë përbërëse e përpjekjes të Qeverisë për liberalizimin e tregut të punës të Shqipërisë për shqiptarët në tërësi.

Pavarësisht se mund të duket një veprim pa ndikim të menjëhershëm apo tingëllon si nismë tërësisht simbolike, ky është një hap i domosdoshëm drejt rritjes së lidhjeve të Shqipërisë me shqiptarët në vendet fqinje pa dallim.

Ky vendim, ndërkaq, është vetëm pjesë e një pakoje më të gjerë masash që Shqipëria ka planifikuar për përafrimin e shqiptarëve në përgjithësi. Shihemi së shpejti me vendime të ngjashme!