13:07 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019

Cakaj: Shqipëria, do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimit “Nobel” për letërsi

Ministri i Punëve të Jashme në Shqipëri, Gent Cakaj, përmes një shkrimi të bërë në faqen e tij zyrtare ka njoftuar se Shqipëria, do ta bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimit “Nobel” për letërsi.

Ky vendim vjen si shenjë proteste kundër përkrahjes dhe mbështetjes që z. Handke i ka dhënë Sllobodan Millosheviqit, këtij kasapi të Ballkanit, i cili urdhëroi masakra të shumta gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ky është postimi i plotë i ministrit Cakaj:

Duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së çmimit “Nobel” për letërsi për Peter Handken.

Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit.

Ndaj, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimit “Nobel” për letërsi.

Përkushtimi ynë, ndërkaq, do të vazhdojë për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë.