17:52 / E Diele, 20 Dhjetor 2020 / Blerim

Cakaj takohet në Hagë me ambasadorin Greiçevci, flasin mbi të rejat e fundit nga Gjykata Speciale

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, është duke qëndruar në Holandë.

Gjatë kësaj vizite, ai ka zhvilluar një takim edhe me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci.

Cakaj përmes një postimi të bërë në FB thotë se ata kanë biseduar imtësisht mbi të rejat e fundit nga Gjykata Speciale.

Ky është njoftimi i Cakajt:

Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore. Gjykata Speciale, pra, jo vetëm merr përsipër të hetojë e gjykojë sërish një palë që ka mbyllur kusuret me drejtësinë ndërkombëtare për dy dekada rradhazi, por edhe e bën këtë në mënyrë krejtësisht të njëanshme duke vënë në shënjestër vetëm strukturat e UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi. Kjo qasje, pra, s’ka fare lidhje as me të vërtetën, as me drejtësinë. Kaq.

Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar e gjykuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre.

Për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare!

Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se historinë e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, nuk mund ta shkruajë askush!

Mbështetje e solidaritet i plotë i Shqipërisë me Kosovën në këto rrethana jo të lehta për krejt kombin shqiptar ?

#LiriaKaEmër #UÇK #JemiNjë