11:24 / E Premte, 19 Qershor 2020 / indeksADMonline

Cakaj telefonatë me Wakamiya: Shtim të bashkëpunimit ekonomik dhe më shumë investime japoneze në Shqipëri.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë, Kenji Wakamiya.

Në fokus të bisedës ishin masat që duhet të ndërmerren për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe sjelljen e më shumë investimeve japoneze në Shqipëri.

Sipas Kryediplomatit Cakaj, rritja e komunikimit të lartë politik duhet të përkthehet edhe në një rritje cilësore të ndërveprimit ekonomik. Prandaj, homologët shprehën gatishmërinë për vijimin e vizitave të larta ndër-shtetërore, sapo të lehtësohen masat e imponuara nga pandemia.

“Vlerësuam shumë pozitivisht bashkëpunimin dypalësh dhe u pajtuam për t’i dhënë mbështetjen njëra-tjetrës në një varg nismash ndërkombëtare.” – u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook.

Më tej, Cakaj i shprehu mirënjohjen qeverisë japoneze për ndihmën e vyer dhënë Shqipërisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit dhe luftën kundër pandemisë COVID-19.