12:54 / E Mërkurë, 01 Shkurt 2023 / LB

Caktimi i koeficientit/ Shala: Stimulon shpërnguljen e rinisë dhe zvogëlon shpresën për një jetë normale në Kosovë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur që vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik të jetë 105 euro.

Kësisoj, Ligji i Pagave që hyn në fuqi më 5 shkurt do të rregulloj çështjen e pagave për punëtorët e sektorit publik.

Mirëpo, zyrtarë të partive opozitare janë shprehur të pakënaqur me caktimin e koeficientit prej 105 eurove.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se është e paarsyeshme goditja që po i bëhet sektorit të sigurisë dhe shërbyesve të tjerë.

Caktimi i koeficientit prej 105 nuk është meritor. Në rrethanat çfarë ndodhet ekonomiaa e vendit:

E ekspozuar para një krize që nuk ka qenë tash e dy dekada, e ekspozuar para inflacionit mbi 13%, e ekspozuar ndaj krizës energjetike, mungesa e ligjit për pagën minimale, rënia e prodhimit vendor, mos realizimi i projekteve kapitale nga Qeveria; Të gjitha këto janë argumente bazike që ky vendim për caktimin e koeficientit, nuk plotëson dhe nuk zgjidh problemet e gjithë atyre që janë përfitues direkt apo jo, të familjeve të tyre që preken nga ligji i pagave’”, ka thënë Shala për Indeksonline.

Më tutje, ai ka thënë se fatkeqësisht po hapet mundësia po stimulohet ikja e fuqisë punëtorë, në kërkim të alternativave më të mira drejt Europës.

“Pra stimulon shpërnguljen e rinisë dhe zvogëlon shpresën për një jetë normale në Kosovë”, ka përfunduar ai./IndeksOnline/