23:57 / E Martë, 22 Qershor 2021 / C E

Calhanoglu: Erdha tek Interi për titullin, preferoj një asist përpara golit

Hakan Calhanoglu i befasoi të gjithë me lëvizjen e tij. Mesfushori ofensiv la Milanin për t’u transferuar si lojtar i lirë tek Interi. Me kampionët e Italisë ka firmosur një kontratë 3-vjeçare.

27-vjeçari turk ka thënë fjalët e para si futbollist zikaltër për kanalin zyrtar të klubit, aty ku shfaq kënaqësinë e tij, flet për objektivat dhe nuk i kursen elozhet për trajnerin Simone Inzaghi.

“Jam shumë i lumtur, e di se çfarë do të thotë të jem këtu tek Interi: klub i madh, skuadër e madhe dhe atmosferë e shkëlqyer. Dua të fitojë diçka në Itali.

Shpresoj të rifitojmë sërish titullin kampion dhe të bëjmë gjëra fantastike në Champions League. Kam biseduar me trajnerin Inzaghi, e di se çfarë futbolli dëshiron të luajë.

Më pëlqen shumë stili i lojës që praktikon. Interi ka objektiva të mëdha, një gjë e tillë më pëlqen. Po stili im? Nuk jam egoist, dhurimi i një asisti më pëlqen më shumë se shënimi i golit.

Objektivat e skuadrës janë primare për mua. Milan? U ndjeva mirë në vitin e fundit me Piolin, pasi luajta në rolin tim të preferuar“, deklaroi Calhanoglu.