13:38 / E Premte, 07 Tetor 2022 / B O

Capello: Në Itali kemi kopjuar anën negative të futbollit të Guardiolës

Fabio Capello ka analizuar duelin Milan-Juventus, që është përballja më e rëndësishme e fundjavës në Itali. Kuqezinjtë duan të reagojnë pas humbjes ndaj Chelsea, ndërkohë që ekipi i Allegrit dëshiron t’i japë vazhdimësi rezultateve pozitive.

76-vjeçari italian, i cili ka drejtuar dhe fituar në pankinat e dy skuadrave të mëdha italiane, kritikon edhe fiksimin italian për të kopjuar stilin e Pep Guardiolës, pasi sipas tij në Serie A po kopjohet keq futbolli që praktikon tekniku i Manchester City.

“Diferencën në futboll e bëjnë gjithmonë lojtarët. A e patë Di Marian përballë Maccabi Tel Aviv? Një lojtar klasi mund të mos bëjë shumë gjëra në fushë, por prek tre topa dhe dërgon dy herë shokët e skuadrës përpara portës kundërshtare.

Milani humbi në Londër, por ata janë një skuadër që luajnë mirë. Kuqezinjtë do të tentojnë të dominojnë ndeshjen, ndërkohë që mungesa e Di Maria-s do të ndikojë te Juventusi.

Në Itali kemi kopjuar gjërat më të këqija nga “Guardiolizmi”: kontrollin e topit dhe pasimet anësore. Vetë Pepi ka evoluar, ai tani luan me një qendërsulmues klasik, teksa ne i kemi hequr çdo përgjegjësi lojtarëve që duke u spostuar në krah nuk rrezikojnë më”, deklaroi Fabio Capello.