75 Mall Live Search
18:36 / E Enjte, 02 Qershor 2022 / LB

Carl Bildt reagon ndaj vizitës së paralajmëruar të Lavrov në Serbi

Ish-ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt ka deklaruar se ftesa e Serbisë për një vizitë zyrtare në këtë vend më 7 qershor të kryediplomatit rus, vendi i të cilit ka sulmuar ushtarakisht Ukrainën, është një lëvizje në kundërshtim me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kam dëgjuar se Serbia ka ftuar ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov të vizitojë Beogradin në ditët në vijim. Nëse presidenti Vuçiq do të fundoste perspektivat e tij në BE, sigurisht që është një veprim i përsosur. Është një lëvizje në kundërshtim të drejtpërdrejtë me procesin e anëtarësimit në BE dhe duhet trajtuar si i tillë”, ka shkruar Bildt në një postim në Twitter.

Serbia është vendi i vetëm në rajon që ka kundërshtuar t’iu bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë dhe vazhdon të mbështesë agresionin ushtarak rus në Ukrainë me protesta të ndryshme.