11:52 / E Mërkurë, 15 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

Çedomir Jovanoviq për Indeksonline: Nuk jam arrestuar, gjendem në mal me familje!

Raportimet e mediave beogradase, të afërta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, se është arrestuar lideri i LDP-së, Çedomir Jovanoviq, po dalin të jenë të pavërteta.

Në një deklaratë për “Indeksonline”, politikani i njohur serb ka hedhur poshtë raportimet se është dërguar në paraburgim për 48 orë.

“Jo… (qesh). Jam në mal me gruan dhe fëmijët e mi. Asgjë nuk ka ndodhur. Po, po e di për raportimet e mediave serbe. Por janë fake news”, ka thënë ai.

Më tej, Jovanoviq theksoi se një portal, pa e konfirmuar, ka raportuar për kinse arrestimin duke e lidhur me një sulm ndaj avokatit Nemanja Aleksiq, nga Novi Sadi.

“Më kanë ndjekur gjithmonë lajmet e rrejshme për krim dhe gjithçka tjetër. Për mua është normale që raportojnë pa e konfirmuar. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe para disa muajsh. Dhe kjo më duket se po më ndjek kjo gjë…”, u shpreh ai.

Kujtojmë se Çedomir Jovanoviq, është ndër politikanët e rrallë në Serbi i cili e njeh pavarësinë e Kosovës.

“…Kosova është e pavarur. Këtë e dinë edhe të tjerët. Unë këtë fakt e pranoj, nuk mendoj se me të mund të polemizoj. Ky fakt është si fizika”, kishte thënë ai. /Indeksonline/Alban Muhaxheri/