20:53 / E Martë, 16 Prill 2019 / indeksADMonline

Çështja shqiptare dhe perspektiva e saj

Shkruan: Halit Krasniqi

Çështja shqiptare e krijuar padrejtësisht larg në histori, është bërë brengë dhe përkushtim në shumë breza të popullit tonë, për të arritur deri në këtë kohë. Perspektiva e zgjidhjes së saj, tani është e pandalshme për shumë arsye dhe janë shumë faktorë që e favorizojnë atë. Kryesisht janë padrejtësitë historike ndaj saj, të cilat tani janë pranuar nga qendrat evropiane që i kanë mbështetur këto padrejtësi në të kaluarën në konferenca dhe kongrese nga lidershipi i brezave të tjerë. Lidershipi i brezit të kohës sonë nga këto qendra, është ndërgjegjësuar për korigjimin e padrejtësive që kanë bërë para ardhësit e tyre. Emancipimi kulturor e politik i shqiptarëve, sistemi i vlerave unikate që përfaqësojmë në përgjithësi dhe veçanërisht gjeostrategjia politike e shtetit shqiptar aktualisht, duke u renditur me faktorët e qendrave relevante në zhvillime të marrëdhënieve ndërkombëtare, ka lehtësuar komunikimet me këto qendra dhe ka krijuar premisa e besim për mbështetje e bashkëpunim.

Ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që e kanë imponuar këtë marrëdhënie të shqiptarëve me këto qendra dhe gjithashtu edhe preferencat e këtyre qendrave për miqësinë me shqiptarët. Por, sigurisht që pozita gjeografike e trojeve shqiptare, ka luajtur rolin determinues në këtë preferencë. Edhe pse me një shtet të pavarur e të vogël dhe pjesa tjetër e copëtuar në disa njësi administrative nën shtete tjera, në kohën e luftës së ftohtë, studimet dhe analizat gjeopolitike e kanë tërheqë kompasin e fokusit të vëmendjes në qendrat e vendosjes për rendin e ri botëror. Natyrisht është synuar për të pasur akces politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak në trojet shqiptare dhe me shqiptarët autokton. Sot prej atëherë, pas shumë zhvillimeve dramatike, kemi marrëdhënie të kurorëzuara politike, ekonomike dhe ushtarake të shqiptarëve me forcat më të mëdha botërore. Kjo është dëshmuar me përkrahjen që gëzon sot shteti shqiptar në integrimet euroatlantike dhe me përkrahjen që ka pasur Kosova gjatë luftës çlirimtare, duke bashkërenduar sulmet ajrore të NATO-s me operacionet luftarake të UÇK-së.

Pastaj pas çlirimit mbështetja politike në krijimin e fizionomisë së shtetit të pavarur të Kosovës. Duke ndërtuar siguri me vendosjen e trupave ushtarake me armatim të sofistikuar në territorin e saj dhe duke krijuar qendrën me koncentrim ushtarak më të madhin në regjion. Gjithashtu me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me ndërtimin e aeroportit të NATO-s aktualisht në Kuçovë, ky përcaktim është përforcuar realisht edhe më shumë. Me këta shembuj definohet një fakt nga më të rëndësishmit në aspekte të sigurisë regjionale dhe perspektivës shqiptare. Këtë e arsyetojnë faktet se qendra e Bonstillit dhe aeroporti i Kuçovës, përbëjnë forcat tokësore dhe ajrore në etninë shqiptare nga më të mëdhatë në regjion, sa i përket aspekteve të sigurisë tokësore dhe ajrore. Prandaj mbështetja e mëtutjeshme e këtyre qendrave asnjëherë nuk mund të vije në dilemë dhe asnjëherë nuk duhej të hapën mëdyshje në qasjet tona gjatë ndërtimit të marrëdhënieve me këto qendra. Dhe, pozicionimet politike të Tiranës dhe Prishtinës ndaj Serbisë, gjithnjë duhet të bëhen në konsultim me këto qendra. Përfitimet e Serbisë duke shfrytëzuar shpërqendrimet e krizave politike përbrenda këtyre qendrave dhe dobësitë e rastit në rotacionet e ndryshimeve të lidershipit të akcilit prej këtyre, janë të mundshme. Por nuk guxon të ndodhë që në raste e periudha të tilla, të shoqërohen në të njëjtën kohë me dobësi subjektive të lidershipit shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë. Nëse një gjë e tillë mund të ndodhë, lidershipi i kryeqendrave tona politike asesi nuk mund të justifikohet dhe gjithsesi do të kenë ndëshkimin e kohëve.
Analizat dhe studimet për vendosjen e marrëdhënieve të faktorëve relevant të sigurisë në botë me shqiptarët, janë bërë në kohën kur shqiptarët kanë qenë të ndarë dhe të armiqësuar me të gjithë fqinjët. Këto marrëdhënie aktualisht, me përjashtim të Serbisë, janë në proces të komunikimeve miqësore dhe në perspektivën e krijimit të premisave për marrëveshje të mundshme për ndërtim të perspektivës së bashkimit të etnisë shqiptare. Me përjashtim të Serbisë me të cilën aktualisht tani në mes saj dhe shqiptarëve është krijuar lum gjaku i shqiptarëve dhe një enciklopedi plot dhimbje e vuajtje të skeduara tani më në histori, që do t’i ndajë për kohë të gjatë këta dy popuj.

Gjithë reflektimet horizontale dhe vertikale që i bëjmë Çështjes shqiptare, na sjellin në konkluzionet se është shumë komplekse dhe në këto marrëdhënie ndërkombëtare nuk mund të bëhet zgjidhja e saj në një fazë të shpejt. Por kapitulli i parë është i lidhur ngushtë me perspektivën e finalizimit të shtetit të Kosovës. Asnjë kapitull tjetër nuk mund të konceptohet se do ta ndihmonte më shumë Çështjen shqiptare, se sa finalizimi i projektit të Kosovës shtet i pavarur në partneritet me NATO-n dhe me BE-në, përherë. Mundësisht pastaj edhe anëtare e OKB-së. Pa përfundimin e këtij kapitulli, kushdo që dëshiron të krijoj për vetën protagonizem vizionar me aventura politike, duke u stolisur me ngjyrime kuq e zi, për promovime personale në pragmatizmin politik në kontekst me Kosovën, reflektimi i ndërgjegjshëm sugjeron se këta shembuj do ta dëmtojnë perspektivën shqiptare. Dhe gjithashtu e përkeqësojnë jetën e shqiptarëve dhe pozitën e tyre në të gjitha trojet tjera etnike, në të cilat doemos gjithandej duhet të sforcohet dizajni kuqezi. Çdo veprim tjetër do ta largojnë në distanca të pa imagjinueshme bashkimin e shqiptarëve në një të ardhme të afërme.
Janë edhe faktorë të tjerë që e kanë hendikepuar kurorëzimin shtetit të Kosovës në fazën finale të konsolidimit në marrëdhënie ndërkombëtare. Por kryesisht në radhë të parë kanë ndikuar sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Me këtë akt tragjik është synuar të atakohet SHBA. Karizma e saj lideriste në rregullimin e ri botëror. Me këtë rast është synuar të goditët gjeostrategjia e projekteve për krijimin e Rendit të ri botëror dhe nuk pësuan vetëm mbi 3000 jetë njerëzish. Por ka pësuar edhe Çështja shqiptare një zhvendosje në prioritete në mozaikun e strategjisë në krijimin e Rendit të ri botëror. Kjo ngjarje imponoj kthesa politike, në zhvillime ekonomike, në koncepcione e strategji ushtarake. Duke prodhuar pastaj zbulimin dhe dekonspirimin e zonave kontaminuese të terrorizmit botëror, të cilat ishin bërë kërcenim për qendrat progresive të zhvillimit ekonomik, politik dhe ushtarak në botë.

Zhvillimet që pasuan kanë imponuar ndryshimin e prioriteteve në agjendat e qendrave të vendosjes në marrëdhënie ndërkombëtare. Duke e zhvendosur çështjen e Kosovës nga prioritetet e top agjendave të deri atëhershme. Kjo gjendje ka krijuar një situatë të favorshme për Serbinë, e cila është përpjekur për ta shfrytëzuar në favorin e saj. Duke reflektuar realisht gjendjen e ndryshimeve konkrete, Beogradi zyrtar ka filluar një agresion të moderuar diplomatik në marrëdhënie ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë ka aktivizuar kolonën e pestë të përbërë nga bashkëpunëtorët e saj të akomoduar me heshtje në institucione të Kosovës dhe në segmente të tjera brenda Kosovës. Në mënyrë të veçantë ka përfituar nga dobësitë subjektive të lidershipit shqiptar, me origjina të ndryshme edukative, me deficite të theksuara në formimet dhe eksperiencat e atëhershme, të cilat kanë ndikuar në krijimin e identitetit shtetëror dhe në zvetënimin e strategjisë shqiptare, e cila ishte në duhej të ishte prioritet mbi çdo gjë në Prishtinë dhe në Tiranë.

Tani detyrë imediate imponohen korrigjimet në të gjitha aspektet brenda nesh. Nga mendësia individuale e deri te ato kolektive. Nga idetë dhe konceptet, deri te qasjet dhe veprimet. Nga marrëdhëniet në mes të subjekteve politike për bashkërendim të roleve dhe detyrave të Tiranës dhe Prishtinës, në mes vete dhe qendrave tjera të etnisë shqiptare. Gjithashtu të gjithë bashkërisht pastaj me qendrat e vendosjes në marrëdhënie ndërkombëtare, të cilat tani më kanë dëshmuar një predispozicion miqësor për pozitën e Çështjes shqiptare, të cilën ende preferojnë ta trajtojnë të fragmentarizuar, por me shumë kujdes dhe respekt. Në qasjet e më pastajme kërkohet përherë nga lidershipi shqiptar në gjithë etninë tonë, ta rrisin vigjilencën dhe ta unifikojnë përkushtimin deri në finalizimin e strategjisë për realizimin e synimeve tona historike, duke bashkërenduar veprimet me këto qëndrime miqësore në marrëdhënie ndërkombëtare.