09:00 / E Enjte, 31 Mars 2022 / AR

Çfarë bëri Will Smith pasi iu kërkua të largohej nga Oscars?

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit tha se Will Smith-it iu kërkua të largohej nga Oscars pasi goditi Chris Rock, por refuzoi.

Bordi i guvernatorëve të Akademisë, i cili u mblodh të mërkurën, tha se kishte nisur gjithashtu procedime disiplinore kundër Smith për shkelje të standardeve të sjelljes.

Shumë kanë vënë në pikëpyetje pse Smith – i cili vetëm një orë më vonë mori duartrokitje të vazhdueshme pasi fitoi çmimin për “Aktorin më të mirë” – u lejua të qëndronte në rreshtin e parë në Oscar pas incidentit. Të mërkurën, Akademia u shpreh se u përpoq ta largonte aktorin nga publiku.

“Gjërat ndodhën në një mënyrë që nuk mund ta kishim parashikuar,” tha Akademia. “Teksa ne do të donim të sqaronim se zotit Smith iu kërkua të largohej nga ceremonia dhe refuzoi, gjithashtu e kuptojmë se mund ta kishim trajtuar situatën ndryshe.”

Akademia tha se Will Smith do të ketë mundësinë të mbrohet me një përgjigje me shkrim përpara se bordi të mblidhet sërish më 18 prill. Akademia tha se masa disiplinore për aktorin mund të përfshijë pezullim, përjashtim ose sanksione të tjera.

Akademia e filmit dënoi më parë sulmin e aktorit ndaj Chris Rock, por përdori një gjuhë më të fortë të mërkurën.

“Veprimet e zotit Smith në Oscars ishin një ngjarje thellësisht tronditëse, traumatike për t’u dëshmuar personalisht dhe në televizion. Zoti Rock, ju kërkojmë falje për atë që keni përjetuar në skenën tonë dhe ju falënderojmë për qëndrimin tuaj në atë moment. Ne gjithashtu kërkojmë falje për të nominuarit, të ftuarit dhe shikuesit tanë për çfarë ndodhi gjatë asaj që duhej të ishte një ngjarje festive.”