11:26 / E Enjte, 15 Qershor 2023 / k.v

Çfarë dihet deri më tani për tre policët e kidnapuar?

Policia serbe ka kidnapuar dje tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, të cilët ishin në detyrë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policët kufitar: Rifat Zeka, Beqir Sefini dhe Mustafa Shemi, pas kidnapimit janë tërhequr në territor të Serbisë dhe për fatin e tyre ende nuk ka asnjë informacion.

Burimet e IndeksOnline kanë thënë se shteti i Kosovës nuk ka pranuar akoma asnjë informacion se ku ndodhen policët dhe çfarë po ndodhë me fatin e tyre.

Portali ka bërë përpjekje për të kontaktuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, mirëpo kontakti me shefin e kësaj zyre, Jetish Jasharin ka qenë i pamundur.

Si ndodhi kidnapimi?

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Dje në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.

Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe.

Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës./IndeksOnline/