08:36 / E Mërkurë, 04 Tetor 2023 / A. M.

Çfarë i bashkon grupet ultranacionaliste serbe dhe rumune?

Nga “mbështetja” në stadium dhe brohoritja “Kosova është Serbi” e deri te tubimet e përbashkëta ku lartësojnë liderët fashistë të së kaluarës.

Postimet në rrjetet sociale tregojnë për këtë bashkëpunim shumëvjeçar të grupeve ultranacionaliste nga Serbia dhe Rumania.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka identifikuar disa organizata rumune dhe serbe që bashkëpunojnë në mbrojtjen e vlerave “kombëtare” dhe “ortodokse”.

Në të njëjtën kohë, ata marrin pjesë në ngjarje të lidhura me neofashizmin dhe dërgojnë mesazhe urrejtjeje ndaj popullatës LGBT.

Disa prej tyre në Serbi morën pjesë në aksione kundër popullatës rome dhe OJQ-ve për të drejtat e njeriut.

Thirrje pro-serbe nga ultranacionalistët rumunë

“UEFA është mafia”, “Kosova është Serbi” shkruan ndër të tjera në një postim të publikuar në shtator në faqen në Instagram të grupit ultranacionalist rumun, Kamarazi (Camarazii).

Postimi u shoqërua me një foto të dy burrave të maskuar që mbanin në dorë një kanavacë me mbishkrimin në anglisht “UEFA mafia. Nuk ka respekt”.

Shkak për këtë njoftim është bërë ndeshja ndërmjet përfaqësueses së Rumanisë dhe përfaqësueses së Kosovës, e zhvilluar më 12 shtator në Bukuresht, kryeqytetin e Rumanisë.

Tifozët e kombëtares rumune të futbollit, mes të cilëve edhe anëtarë të organizatës Kamarazi, gjatë ndeshjes kanë shpalosur një pankartë ku shkruan “Kosova është Serbi” dhe për këtë arsye loja u ndërpre.

Më 20 shtator, Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) gjobiti Federatën Rumune të Futbollit për këtë thirrje pro-serbe, duke urdhëruar që Rumania të luajë ndeshjen e radhës kualifikuese për Kampionatin Evropian në një stadium bosh.

Siç shihet edhe në postimet e tjera të grupit Kamarazi në Instagram, kjo nuk është hera e parë që ky grup rumun dërgon mesazhe mbështetjeje për nacionalistët serbë.
Anëtarët e saj, siç shihet në një postim në Instagram në qershor, kanë vizituar Beogradin.

Në foton nga Instagram-i shihet se anëtarët e këtij grupi mbajnë një pankartë para tempullit të Shën Savës në Beograd, ku shkruhet në anglisht “Vendet e trilluara, është futboll i rremë për ne, ata nuk kanë rëndësi për ne”.

Njoftimi i referohet ndeshjes që kombëtarja e Rumanisë ka luajtur me përfaqësuesen e Kosovës në Prishtinë në qershor, ku ka pasur edhe incidente. Tifozët rumunë më pas u larguan nga stadiumi pasi brohoritën “Kosova është Serbi”.

Beogradi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli në vitin 2008. Serbia dhe Kosova po zhvillojnë një dialog për normalizimin e marrëdhënieve nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 100 vende dhe shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian. Rumania është ndër pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në njoftim thuhet se Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por se “UEFA e ka detyruar kombëtaren rumune të luajë ndeshjen në Prishtinë”.

Kush është Kamarazi?

Ky grup ultranacionalist rumun ka qenë aktiv në Instagram që nga nëntori 2019.

Ata e prezantojnë veten në Facebook si “Blloku nacionalist”, i cili supozohet se është një grup i të gjitha fraksioneve ekstremiste në Rumani.

Kamarazi publikon postime kundër feminizmit dhe komunitetit LGBT në rrjetet sociale. Në një nga postimet thuhet se “feminizmi ekziston për të demonizuar burrat, për t’i bërë gratë të shëmtuara dhe për të shkatërruar familjen”.

Në pankartat që shfaqin në ndeshjet e futbollit, ata e identifikojnë veten si ndjekës të së ashtuquajturës Lëvizja Legjionare në Rumani.