13:05 / E Martë, 28 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Çfarë tha Pacolli në mbledhjen e dy qeverive në Korçë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes Divizionit për komunikim me publikun të ministrisë që drejton, ka distribuuar fjalën që mbajti në takimin e qeverive të Shqipërisë e të Kosovës, dje në Korçë, të cilën po e japim me pak shkurtime.

Pasi rikujtoi se më 1980 në këtë qytet kishte sjellë makina trikotazhi dhe se ishte qytetar nderi i tij, se ai kishte artikuluar idenë udhërrëfyese të Arbër Xhaferit të ndjerë për herë të parë si president në Parlamentin e Shqipërisë në 2011, dhe se tash “me këmbënguljen e kryeministrit Rama, me stilin e tij, dhe tash me energjitë e kryeministrit tim Haradinaj, po mundësohet në Korçën e Niko Peleshit dhe në Korçën time”, shtoi:

Nuk ka asgjë kërcënuese për askënd në këtë mbledhje tonën të përbashkët: në Korçën Kombëtare dhe Kozmopolite: shumë shpejt do ta kemi dhe Mbledhjen me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në lojën rajonale, kontinentale dhe globale, ne do bashkëpunojmë me fqinjët, me ata që na duan, me të ngjashmit, me ata që na intereson më shumë.

…Unë e shoh Korçën, si epiqendra zhvillimore në bujqësi, në tregëti, në turizëm, në jetën akademike në trekëndëshin Shkup (pra dhe Prishtinë), Tiranë, Selanik.

Është krejt e qartë se krijimi i realiteteve ekonomike të përbashkëta e fizibël midis Kosovës dhe Shqipërisë, e hapur për rajonin, me

  • holdingje publiko private në hekurudha,
  • në autostrada,
  • në shëndetësi,

etj, thjesht rrisin konkurencën në rajon, e si pasojë

  • rrisin cilësinë,
  • rrisin mirëqenien e qytetarëve.

Nga këto realitete ekonomike të përbashkëta në bujqësi posaçërisht, dhe Korça ka traditë të shkëlqyer, ndoshta konkurrentët duhet të shqetësohen, po ky s’ është derti ynë.

Prej kësaj mbledhjeje, unë dua të them:

Mjaft me monopole,

me pozita dominante në treg prej atyre vendeve që bëjnë viktimat në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërkohë që kontrollojnë importet tona bujqësore, kontrollojnë energjitikën tonë.

Ne duam konkurrencë,

ne duam eficiencë,

ne duam cilësi,

ne duam mirëqenie për të gjithë.

Nëse ne jemi një gjuhë, një traditë, ne nuk mund ta fshehim këtë epërsi në bashkëpunimin rajonal.

Modeli nordik, modeli i Bashkimit Europian është modeli më i përsosur që i shkon marrëdhënieve tona, që potencon njëmendësinë tonë kombëtare.

Bashkëpunimi ynë është në shërbim të qytetarit, në shërbim të paqes,

sepse ne jemi mendje të hapura,

se ne dimë dhe gjuhë të tjera të rajonit,

se ne dimë gjuhën e perëndimit dhe të perëndisë.

Nuk është faji ynë se Perëndia i vendosi shqiptarët në vendin e duhur, dikur i copëtoi dikush dhe tash

me ndihmën e perëndimit, shqiptarët duhet të respektohen.

Nuk është faji ynë pse sot në kohën e lirisë, ne po punojmë për atë që një ideolog i viteve 30, që vinte nga Gjirokastra, e quante njëmendësia kombëtare.

Si ministër i Jashtëm jam shumë i lumtur që në vijim të bashkëpunimit për njohjet e shtetit tonë, të konsoliduar dhe me paraardhësit e mi, po shkojmë tek një hap tjetër:

-seli të përbashkëta,

përfaqësim i përbashkët,

alternim i përfaqësimit-ku jeni ju, jemi ne (vendet që nuk na kanë njohur)dhe

ku jemi ne, do jeni dhe ju. (ne jemi në Australi, Senegal, etj) dhe ne do ju përfaqësojmë.

Shqipëria dhe Kosova gjithashtu duhet të dakordojnë masat dhe veprimet për të ndihmuar shqiptarët në rajon për realizimin e të drejtave të tyre themelore dhe legjitime sipas Konventave evropiane.

për ta kyçur fuqinë ekonomike dhe intelektuale të diasporës tonë të madhe.

Marrëveshjet për diasporën që po nënshkruajmë sot janë edhe në këtë funksion.

Kosova duhet të trajtohet palë krejtësisht e barabartë në rajon dhe faza përfundimtare e dialogut me Serbinë do ta rrumbullakos këtë proces, sepse do të kulmojë doemos me anëtarësimin e Kosovës në OKB.