19:34 / E Shtunë, 30 Qershor 2018 / indeksADMonline

Çfarë uji pinë kosovarët?

Cilësia e ujit për pije në Kosovë ka shënuar trend pozitiv të përmirësimit për çdo vit. Këtë të paktën e thonë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), të cilët bazuar në raporte vjetore vlerësojnë një trend pozitiv të përmirësimit të cilësisë.

Madje në vitin 2017 nga 59,599 teste të kryera të ujit, 98,5% kanë dalë në pajtueshmëri të plotë me standardët e përgjithshme për ujin e pijshëm.

“Uji i cili monitorohet (uji nga sistemet qendrore te ujë furnizimit dhe sistemet e vogla lokale te cilat menaxhohen nga kompanitë e ujësjellësit) qe përfshin rreth 90% te popullatës është brenda standardeve te parapara për ujin e pijshëm. Në raportin vjetor për cilësinë e ujit për pije në Kosovë për vitin 2017, të nxjerrë nga Qendra për Monitorim te Ujit për pije në IKSHPK, analizat laboratorike ne nivel vendi rezultojnë: nga 59 599 teste te kryera ne laboratorët e IKSHPK-së dhe laboratorët e QRSHP-institutet rajonale, 98.5% janë në pajtueshmëri të plotë me standardet e përgjithshme për ujin e pijshëm; 99.54% në përputhshmëri me standardet mikrobiologjike dhe 98.3% ne përputhshmëri me standarde kimike. Kjo vërteton se qytetaret e Kosovës pijnë ujë të monitoruar dhe me siguri të lartë në aspektin higjienik”, thuhet në përgjigjën e IKSHP-së për Indeksonline.

Tutje në përgjigjën e tyre theksojnë se Qendra e Ujit në kuadër të IKSHP-së, bënë kontrolle të vazhdueshme të cilësisë së ujit.

Mirëpo, bëjnë të ditur se në rajonet ku qytetarët ujin e marrin nga bunarët individuale apo sisteme të vogla kryhen për çdo stinë apo në bazë të indikacioneve epidemiologjike.

“Si obligim ligjor, Qendra e Ujit ka hartuar Planin e Monitorimit për tërë territorin e Kosovës. Sipas këtij plani janë përcaktuar zonat e furnizimit ku varësisht nga sasia e ujit të prodhuar përcaktohet frekuenca. Në zonat e mëdha të furnizimit siç janë qytetet e mëdha uji monitorohet/kontrollohet në bazë ditore deri sa në zona më të vogla ( më me pak se 300m3 ujë në ditë ) fekuenca e monitorimit është çdo të dytën ditë, ku analizohen komplet parametrat mikrobiologjik dhe kimik ,e ashtuquajtura Rutina 2 -R2 me 36 parametra. Derisa Klori rezidual , turbullira , E.Coli dhe bakteret Koliforme -parametra bazik te rutines1-R1, kontrollohet në bazë ditore. Në rajonet në të cilët qytetaret ujin për pije e marrin nga bunaret individual ose nga sisteme të vogla të fshatit, gjegjësisht në zonat e furnizimit më me pak se 10m3 ujë në ditë ose më pak se 50 banorë, sisteme këto të tipit të shpërndarë-malor (më pak se 10% e popullatës) , nuk janë obligativ ligjor te kontrollit”, thuhet tutje në përgjigjën e tyre.

Ata theksojnë se kohët e fundit janë shtuar kërkesat individuale për kontroll të cilësisë së ujit për pije nga vete banorët e fshatrave -pronaret e bunarëve.

Zëdhënësja e Ujësjellësit të Prishtinës, Arjeta Mjeku për Indeksonline ka thënë se cilësia është e lartë dhe konform standardeve ndërkombëtare.

“Uji monitorohet 24 h në të gjitha liqenet. Cilësia në ujë të papërpunuar dhe të përpunuar nga laboratori fiziko kimik dhe bakteriologjik në laboratorin e KRU Prishtina i cili është po ashtu i akredituar. Cilësia është e lartë dhe konform standardëve ndërkombëtare”, është shprehur ajo.

Për vitin 2015 : nga 43 000 teste të kryera në IKSHPK : 97.0% e tyre është në pajtueshmëri me standardet e përgjithshme të ujit për pije; 96.3 % përputhje me standarde mikrobiologjike dhe 97.3 përputhshmëri me standarde kimike.

Për vitin 2016 : nga 50 289 teste të kryera në IKSHPK : 98.3% e tyre është në pajtueshmëri me standardet e përgjithshme te ujit për pije; 99.2 % përputhje me standarde mikrobiologjike dhe 98.0% përputhshmëri me standarde kimike.

Sipas një publikimi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, lidhur me ujërat në Kosovë, kohë më parë, thuhet se rreth 70 për qind e popullatës furnizohet me ujë nëpërmjet sistemeve publike, kurse rreth 29 për qind furnizohen nga sistemet vetanake.

Ndërkaq, 0.7 për qind e qytetarëve nuk kanë në dispozicion shërbime të ujësjellësit./Indeksonline/