13:00 / E Mërkurë, 14 Prill 2021 / A. A

Challandes, njeriu më i paguar në Kosovë: Jam i kënaqur sepse kam pagë shumë të mirë

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes për herë të parë ka folur rreth pagës së tij.

Në gusht të vitit 2020, zvicerani nënshkroi kontratë të re dy vjeçare me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur që Challandes merr 25 mijë euro në muaj, pagë që e bën atë njeriun më të paguar në Kosovë.

“Tani kam kontratë të re. Ju mund të pyesni Federatën, nëse kanë folur me ndonjë agjent. Ata kanë folur vetëm me mua. Unë isha i kënaqur sepse kam pagë shumë të mirë” deklaroi Challandes në Rubikon.

69-vjeçari ishte emëruar në detyrën e përzgjedhësit të Kosovës, në mars të vitit 2018.

Deri tash ka 31 ndeshje me ‘dardanët’ duke regjistruar, 13 fitore, 7 barazime dhe 11 humbje.

/Indeksonline/