22:50 / E Mërkurë, 29 Maj 2019 / indeksADMonline

Chelsea me Kupë në dorë, Arsenali me gishta në gojë

Chelsea është fitues i Europa League për sezonin 2018/19.

Skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarri në finale ka mposhtur Arsenalin me rezultat 4-1.

Gunners e nisën më mirë ndeshjen ku patën disa raste shumë të mira, ku vlen të cekët një traversë nga Granit Xhaka.

Por golat e kësaj ndeshje ishin rezervuar për pjesën e dytë, me Chelsean më kërkuese, shkruan Indeksonline.

Rezultatin e zhbllokoi Olivier Giroud me një gol me kokë në minutën e 49-të pas një krosimi të shkurtër nga Emerson.

Një top i bukur i dhuruar nga Eden Hazard te Pedro në minutën e 60-të dyfishoi rezultatin duke i dhënë më shumë qetësi bluve.

Chelsea trefishoi rezultatin në minutën e 65-të me një gol nga penalltia të Eden Hazard.

Arsenali për një moment rihapi ndeshjen, kur Iwobi i sapo inkuadruar në lojë shënoi një gol të bukur në minutën e 69-të.

Por shpresa e tifozëve të Arsenal zgjati vetëm tre minuta. Hazard u gjet i vetëm para portierit pas një pasimi të Giroud dhe ishte i saktë nga afërsia.

Ky është triumfi i dytë i Chelseas në Europa League, derisa Arsenali përveç që humbi titullin, humbi edhe mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. /IndeksOnline/