11:00 / E Mërkurë, 20 Prill 2022 / B O

Cila është pjesa më sfiduese e mësimdhënies?

Shkruan, profesor Liridon Lipaj

A janë nxënësit apo planprogrami?

Jo,është diçka tjetër – janë raportet e paqëndrueshme midis mësimdhënësve dhe stafit menaxhues.
Udhëheqja e mirë mund ta bëjë mjedisin shkollor argëtues, sfidues dhe shpërblyes.

Udhëheqja e keqe tenton me çdo kusht dhe mjet t’i përjashtojë mësimdhënësit e dalluar, e përpjekje të tilla krijojnë një mjedis jashtëzakonisht armiqësor.
Mësimdhënësit e dinë ndryshimin midis një udhëheqësi që i sheh vërtetë si pjesë të ekipit dhe një autokrati që ka vetëm fjalë. Për disa drejtues shkollash, nuk ka asnjë vizion përtej “Vazhdoni të bëni atë që kemi bërë gjithmonë pa e tundur kokën”.
Nëse plani i udhëheqjes është, “Na dokem n’punë dhe ishalla bahet mirë”, harro, ai plan nuk do të funksionojë as pas orës së parë të ditës së parë.
Si rezultat!

Mësimdhënësit përpiqen shumë për ta bërë një orë kuptimplote, por ndonjëherë ata bëjnë më shumë dëm sesa dobi. Mësimdhënësit mund të përdorin metoda destruktive dhe monotone. Ose, shpjegimet e një mësimdhënësi thjesht nuk janë tërheqëse – ata flasin me një zë monoton dhe të padurueshëm dhe më së shpeshti formati, ku një mësimdhënës flet pa shtuar pyetje ose diskutime brenda periudhës së orës.
Llojet e mësimdhënësve destruktiv
-Mësimdhënësi monoton: Ky mësimdhënës lëvizë përpara dhe mbrapa gjatë spjegimit në klasë dhe shpërndarjes së testeve.
-Mësimdhënësi pa kontrollë: Ora e këtij mësimdhënësi ndihet më shumë si një party sesa një mjedis i organizuar mësimi. Nxënësit flasin gjatë orës, madje mund të hedhin aeroplan nga letra gjatë orës së mësimit.
-Mësimdhënësi i lehtë: Ky mësimdhënësi nuk e spjegon materialin në thellësi. Nxënësi mund të ankohet se është i mërzitur ose të thotë se lënda është shumë e lehtë.
-Mësimdhënësi i keq: Ky mësimdhënësi i sheh nxënësit si rival dhe është i gatshëm për të garuar me ta në çdo mënyrë të mundshme. Ky mësimdhënësi nuk bënë përjashtime as për nxënësit që janë vërtetë në vështirësi. Ata mund t’u bërtasin nxënësve, ua rrotullojnë sytë kur bëjnë pyetje dhe tallen me nxënës.
Si rezultat!
‘Prof, a mund të shkoj në tualet? Prof, a mund të shkoj të pi ujë? Prof, më dhemb koka,a mund të dal pak jashtë?’ Këto janë justifikimet që zakonisht nxënësit japin kur nuk janë në gjendje të përqendrohen në orë mësimore ose, për të qenë konkret, mërziten.
Ka shumë arsye që nxënësit mërziten në shkollë, të tilla si kur nuk sfidohen mjaftueshëm ose thjesht nuk ndihen të motivuar nga lënda që diskutohet në klasë.

Disa nxënës mund të parashikojnë aktivitetet e planifikuara nga mësimdhënësit dhe të kryejnë detyrën përpara nxënësve të tjerë, duke i bërë ata të ndihen monoton gjatë pjesës tjetër të orës. Mësimdhënësi duhet të kuptojë se çfarë po përpiqen t’ju thonë këta nxënës kur ata nuk sfidohen mjaftueshëm në aktivitetet e klasës.
Motivimi i nxënësve ndonjëherë është ndikuar nga faktorë të brendshëm si ‘Unë tashmë i di këto gjëra, i kam lexuar diku etj.’. Ky qëndrim “tashmë e di” i bën ata të ndiejnë se nuk do të mësojnë diçka të re. Si rezultat, ata pothuajse nuk i kushtojnë vëmendje orës mësimore fare.

Nxënësit zakonisht ndihen të izoluar kur nuk mund të krijojnë një lidhje me moshatarët e tyre dhe madje edhe me mësimdhënësin e tyre. Kjo ndjenjë izolimi ndihmon në zhvillimin e mërzisë së tyre. Një arsye tjetër mund të jetë se nëse një nxënës nuk është në gjendje të krijojë një marrëdhënie të rehatshme me dikë në klasën e tij, ai/ajo mund të ndjejë se nuk ka ku të drejtohet për të kërkuar ndihmë.
Prindërit zakonisht nuk janë në dijeni për vijueshmerinë, progresin dhe për sjelljen e fëmijëve të tyre.Nga ngarkesat dhe obligimet e jetës prindërit shumë pak vizitojnë shkollën! Ideja është të zbulojmë arsyet pse nxënësi thotë gjithmonë “S’po shkohet n’shkollë”.