12:05 / E Hënë, 11 Prill 2022 / B O

Çka dhe kur të hani në Ramazan, për të mirën e shëndetit tuaj

Shkruan Dr. Venera Berisha-Muharremi

Agjërimi është dëshmuar që ka në aspektin shëndetësorë shumë dobi, por nëse nuk abuzohet me ushqimin në iftar apo syfyr!
Prandaj duhet t’i kushtohet shumë rëndësi bërjes së iftarit dhe syfyrit, sepse dieta në atë muaj duhet të përmirësojë shëndetin tuaj e jo të lejoni që t’a përkeqësojë ate.

Në vendin tonë është zakon të bëhen iftare të bollshme, e për syfyr – ate që “mbetet”.

Agjërimi në Islam nënkupton abstenim absolut nga ushqimi dhe pijet, nga agimi deri në perëndim të diellit, prandaj. është një mënyrë shumë e rëndësishme se si, çfarë lloji dhe sa ushqim duhet të futet në trup në kohën kur ai lejohet të mirret.

Ushqimi përbëhet nga disa komponentë kyç dhe më kryesorët janë karbohidratet, lipidet dhe proteinat, të cilat së bashku quhen “makronutrientë”. Përveç kësaj, ekzistojnë vitamina dhe minerale si “mikronutrientë”, të cilët në radhë të parë kanë një funksion rregullues dhe mbrojtës në trupin e njeriut.
Uji, është poashtu pjesë e domosdoshme, jashtë mase i rëndësishëm.
Ushqimi përmban sasi të vogla të përbërësve biologjikisht aktivë që janë të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit, si klorofili, karotenoidet, polifenolet, flavonoidet, alkaloidet, glikozidet etj.

Agjërimi mund të shihet si një lloj “resetimi” vjetor dhe forcimi i aparatit tretës, duke filluar nga goja, fyti, ezofagu dhe stomaku e deri te zorra e hollë dhe e trashë por gjithnjë duke e potencuar, që në kohën kur ndërprehet në iftar e deri në syfyr, të mirren kompinentat e duhura ushqyese dhe në sasi të duhur e jo të tepruar. Gjatë agjërimit të përditshëm, trakti tretës zbrazet dhe pastrohet nga mbetjet e ushqimit dhe lëngjet tretëse.

Në traktin tretës jetojnë normalisht “bakteret e mira” – probiotikët, të cilët përbëjnë florën e tij. Nëse një person nuk ha gjatë gjithë ditës, ajo pjesë e florës stabilizohet dhe rigjenerohet gjatë 12 ose më shumë orëve të agjërimit. dhe mbijetojnë vetëm bakteret më të forta, përderisa, gjatë vitit, zakonisht, shumë mbetje të substancave të dëmshme nga ushqimi mbeten prapa në vilet e zorrëve tërë kohën.

Për shkak të gjithë kësaj, duhet të kujdesemi se çfarë të hamë për iftar e çfarë për syfyr,

Rekomandohet që në syfyr është mirë të hahen ushqime me proteina dhe lipide. Kjo është për shkak se proteinat dhe lipidet marrin shumë më shumë për t’u tretur – 8 deri në 12 orë, sesa karbohidratet vetëm 2-3 orë. Proteinat dhe lipidet gjenden kryesisht në mish, qumësht dhe vezë, por edhe në bishtajore dhe arra. Për syfyr rekomandohen të gjitha gatimet në të cilat dominojnë llojet e përmendura të ushqimeve.

Ushqime me proteina janë gjithashtu produktet e qumështit që përmbajnë rreth 12 për qind lëndë të thatë, nga të cilat afërsisht një e treta është laktozë sheqeri, një e treta proteina dhe një e treta yndyrë (lipide). Për syfyrin rekomandohen produktet e qumështit dhe veçanërisht djathrat. Nga ushqimet bimore për syfyrin, rekomandohen ushqimet bimore proteinike. Bëhet fjalë për bishtajore si fasulet, bizelet, soja, thjerrëzat, të cilat mund ta mbajnë njeriun të ngopur pa uri gjatë gjithë ditës.

Përveç kësaj, disa lloje frutash, si arrat: arrat, bajamet, kikirikët dhe lajthitë përmbajnë lipide dhe proteina të cilësisë së lartë që japin një ndjenjë ngopjeje për një kohë të gjatë gjatë ditës.

Edhe pse këtë se kemi në zakone tona, shumë mirë është të përdoren edhe peshku dhe ushqimet e detit për syfyr për shkak të përmbajtjes së proteinave dhe lipideve lehtësisht të tretshme, dhe veçanërisht acideve yndyrore omega 3 me vlerë ushqyese.

Rekomandohet konsumimi i sa më i pakët i ushqimeve të kripura për syfyr dhe ndërsa për të redukuar djersitjen rekomandohen erëzat si ato të specit të kuq dhe piperi i zi. Kafeja mund të pihet në syfyr, sepse kafeina lidh ujin, pastaj çaji i zi, veçanërisht i vlefshëm në ditët e nxehta, sepse përmban teinë me efekt të ngjashëm si kafeina dhe redukton djersitjen. Rekomandohet të pini mjaftueshëm ujë të pastër burimor ose mineral të shëndetshëm.

Për iftar mund të hahet bukë por rekomandohet integrale dhe byrekët e pitet që aq shumë i kemi për qejf, por sasia duhet të jetë e vogël.
Është shumë nevojshme të konsumohen uji dhe cajra pa sheqer të mjaftueshme nga iftari deri në syfyr, duke qenë se dita e agjërimit është e gjatë, sepse trupi mund të kalojë pa ushqim edhe 70 ditë, por pa ujë nuk mund të jetë më shumë se tri ditë. Pra, trupi duhet të furnizohet me ujë.

Nga iftari deri në syfyr rekomandohet konsumimi i frutave me mirë se lëngjeve të shtrydhura. Për të përballuar më lehtë urinë gjatë agjërimit, për syfyr mos hani fruta dhe pini lëngje frutash por ato konsumoni më shumë në kohën në mes iftarit e syfyrit.

Gjithashtu rekomandohet që për iftar, siç është traditë, agjëruesi të merr së pari ujë, sepse një pjesë e qelizave të indeve dhe organizmave dehidratohet gjatë agjërimit dhe nevojitet ndërhyrje e shpejtë për përmirësimin e gjendjes duke pirë ujë. Nga ana tjetër, trupi tashmë është pastruar në masë të madhe gjatë ditës dhe një gotë me ujë të iftarit do të largojë ushqimet e mbetura të patretura si dhe disa substanca toksike nga trakti tretës.

Pas ujit, rekomandohen 2-3 hurma që japin fibra të papërpunuara dhe për të reduktuar shpejt ndjesinë e urisë me glukozën që kanë dhe më pas duhet të hahen ushqime me plot perime dhe në iftar edhe produkte të drithërave, mundësisht integrale. Në këtë mënyrë, rezervat e varfëruara të energjisë rinovohen shpejt.

Agjërim të lehtë !