09:59 / E Diele, 01 Nëntor 2020 / OSH

Çka nuk dihet të vishni asnjëherë në një dasmë?

Edhe pse në këtë vit nuk ka pasur dasma, më poshtë keni disa këshilla se çka nuk duhet të vishni asnjëherë në një event të tillë.

1. Fustan i gjatë i bardhë

Nëse jeni shumë egoiste, atëherë mund ta bëni një zgjedhje të tillë fare mirë. Në të kundërt: ËSHTË DITA E NUSES, jo e juaja!

2. Çdo gjë të bardhë, bezhë apo krem – thjesht harrojeni!

Në ditët e sotme, modelet e fustaneve të nusërisë e tejkalojnë të bardhën, duke bërë që nusja të ketë mundësi të paraqitet edhe me nuanca kremi apo bezhe. Me pak fjalë, mos rrezikoni të bëheni nusja numër 2. Thjesht, do të urreheni pafund…

3. Veshje transparente

E kuptojmë që Bella Hadid apo Kendall Jenner duken të mahnitshme kur paraqiten me transparente, dhe me siguri e tillë mund të dukeni dhe ju. Por, a do të ishte normale paraqitja me një copë, që shfaq çdo pjesë të trupit? Mmmm, ngjason pak më tepër me një tjetër lloj eventi (e imagjinoni vetë).

4. Të prera shumë shkurt

Nëse po shkoni në party apo në një festë ditëlindje, e prera shkurt nuk është problem. Por, le të themi se dasma nuk është rasti i gjuajtjes së bukuroshëve beqarë perreth.

5. Shapka…!

Është rast i rrallë, por ka ndodhur të shohim dasmore të paraqitura me shapka. Siç mund ta kuptoni, është event, jo xhiro në plazh.

6. Pantallona xhins

E kuptojmë që jo çdokush preferon fustanet, por kjo nuk do të thotë të veshim modelin më të përhapur në përditshmëri. Mund të zgjidhni fare mirë pantallona copë, klasike e moderne, vetëm xhins, jo!

7. Çdo lloj xhinsi

Për t’u qartësuar: nuk është materiali i duhur për në dasëm! Harrojeni çdo gjë që lidhet me xhinsin, dhe drejtohuni tek copa më serioze.

8. Një kurorë

Nëse dëshironi t’i stiloni ndryshe flokët, vendosni një shall dekorues. Kurorën e mban protagonistja e dasmës, dhe ajo nuk jeni ju.

9. Çdo gjë me dizenjo të ngarkuar

Nëse po mendoni për koleksione, të cilat janë të ngarkuara me dizenjo plot figura apo simbole, ne ju sugjerojmë të mos e bëni një zgjedhje të tillë. Ky nuk është rasti për të rënë në sy në një tjetër formë.

10. Me të zeza nga koka tek këmbët

Është festë, jo rast vdekje. Vetëm nëse keni patur ndonjë lidhje me dhëndrin…

11. Bluzë me sllogan

Nëse keni zgjedhur kombinimin e pantallonave me bluzë, atëherë sigurohuni që kjo e fundit të jetë klasike, jo material pambuku me slloganin inspirues klishe që kalon mes për mes.

12. Këpucë për party

Është e vërtetë që sandalet shumë të larta, me platformë e takë të trashë janë tërheqëse kur dilni për një gotë me miqtë apo kur frekuentoni festat. Por, ky është një event më pranë klasikes, e çdo gjë e tepruar do t’ju çojë në vulgaritet.