22:48 / E Hënë, 02 Prill 2018 / indeksADMonline

Çka po ndodhë me rrugën për Veternik?

Ka pothuajse një vit që kur kanë nisur punimet për zgjerimin e rrugës nga Prishtina në Veternik.

Ndonëse është paraparë që punimet në krahun e majtë të rrugës të zgjasin 150 ditë punë e për krahun e djathtë 110 ditë pune, ato ende nuk kanë përfunduar.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se punimet janë ndërprerë për shkak të rrëshqitjes së dheut. I njëjti ka treguar se në verë të këtij viti rifillojnë punimet.

“Rruga e zgjerimit të rrugës për Veternik është ndërprerë për arsye të rrëshqitjes së dheut gjatë kohës së reshjeve të shiut dhe për këtë kemi formuar një komision për vlerësimin e rrëshqitjes dhe në fund kemi marrë raportin ku konstatohet gjendja. Ne tash jemi në fazën e ridizajnimit të projektit dhe në vëren e këtij viti do të rifillojnë punimet”, tha Kadriu.

I pyetur nëse është e lejuar që makinat të kalojnë nëpër shiritin e papërfunduar të rrugës Veternik-Prishtinë, Kadriu ka treguar se ndalimi i qarkullimit të makinave është përgjegjësi e policisë, pasi MI ka vendosur shenjat sinjalizuese ndaluese.

“Sa i përket kalimit të veturave në shiritat të cilët akoma nuk janë përfunduar është në përgjegjësin e policisë sepse ne kemi vendosur shenjat sinjalizuese por është kompetencë e policisë”, përfundoi Kadriu./Indeksonline/