23:55 / E Hënë, 23 Nëntor 2020 / Blerim

Clinton: Antony Blinken do të jetë një sekretar tepër efikas i Shtetit

Ish-kandidatja për president të SHBA-së Hillary Clinton tha sonte se administrata e ardhshme e Joe Biden ka zgjedhur stafin më të mirë për politikë të jashtme dhe siguri kombëtare.

“Tony Blinken është një nëpunës publik i përkushtuar i cili do të jetë një sekretar i Shtetit tepër efikas,” shkroi Clinton në një postim në llogarinë e saj në Twitter.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së Joe Biden dhe zëvendës presidentja e zgjedhur, Kamala Harris kanë publikuar sot emrat e anëtarëve të kabinetit të tyre për politikë të jashtme dhe siguri kombëtare.

Antony Blinken është nominuar për sekretar Shteti, Alejandro Mayorkas, sekretar i Sigurisë Kombëtare, Avril Haines, drejtor i Inteligjencës Kombëtare, Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare, John Kerry, i dërguari special i presidentit për Klimën.

Biden tha se ekipi i tij do të rikonfirmojë lidershipin amerikan në skenën globale pas përpjekjeve të Donald Trump për të ndërprerë diplomacinë shumëpalëshe dhe për të shkatërruar paktet e brishta si marrëveshja bërthamore e Iranit.

“Këta individë janë po aq me përvojë dhe të testuar nga krizat, sa janë inovativë dhe imagjinatë. Arritjet e tyre në diplomaci janë të pakonkurrueshme, por ato gjithashtu pasqyrojnë idenë se ne nuk mund të përmbushim sfidat e thella të këtij momenti të ri me të menduarit e vjetër dhe zakone të pandryshuara. Kjo është arsyeja pse unë i kam zgjedhur ata,” tha Biden.

Ndryshe, Antony Blinken ka pasur më parë një rol zëvendës gjatë administratës Barack Obama dhe kishte uruar Majlinda Kelmendin me rastin e fitimit të medaljes olimpike në Rio de Zhaneiro më 2016.