12:49 / E Enjte, 21 Korrik 2022 / AR

Çmimet e çrregullta të barnave, Statovci – ministrit Latifi: Kur pritet të implementohet udhëzimi administrativ për rregullimin e produkteve farmaceutike

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci ka pasur pyetje për ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin, lidhur me çmimin e barnave.

Ajo kërkon nga ministri që të njoftojë se kur pritet të fillojë implementimi i udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, raporton Indeksonline.

“Në kuadër të sektrorit farmaceutik, ende qytetarët përballen me çmime të parregulluara dhe me dallime për barna. Dallimet janë evidente për produktin e njëjtë brenda ditës dhe natës, dhe sipas rajonit – duke u keqpërdorur me nevojën e pacientëve për aspektin esencial në lidhje me mirëqenien e tij/saj.

E kujtojmë faktin që Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimeve për produkte dhe pajisje medicinale që do të bëj përcaktimin e tavaneve, unifikimin, si dhe rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale, është klasifikuar si me interes të përgjithshëm publik edhe nga institucionet përkatëse të konkurrencës.

Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e vetme në Evropë pa rregullative për çmimet e barnave, edhe në kohën kur çmimet janë shumë të luhatshme.

I nderuar ministër, a mund të na njoftoni se kur pritet të fillohet me implementimin e këtij udhëzimi administrativ dhe sa ka avancuar ekipa në raport me përshtatshëmrinë e U.A pasi që në të kaluarën na u është thënë se ka “pamundësi të zbatimit të disa dispozitave të tij”, u shpreh Statovci.

Me këtë rast, Latifi tha se i njëjti ishte tentuar të rregullohet por nuk e di arsyen pse ka dështuar.

“Kisha thënë që është çështje vitale. Kjo është një çështje me interes të përgjithshëm dhe secili nga ne afektohet nga kjo çështje. Në të kaluarën ishte tentuar të rregullohet, i cili për arsye të panjohura ende nuk ishte zbatuar. Ne jo vetëm që e kemi shqyrtuar këtë udhëzim po e kemi finalizuar projektligjin. Këto momente mendoj se është duke u përkthyer, e pastaj do të qitet edhe në diskutim publik”, tha Latifi.