20:58 / E Mërkurë, 19 Korrik 2023 / S Z

Çmimet në bregdetin shqiptar të papërballueshme për kosovarët

Për kosovarët bregdeti shqiptar ka qenë destinacioni i tyre i preferuar, për t’i kaluar pushimet. Por si duket gjërat kanë ndryshuar. Çmimet e larta në bregdetin shqiptar, kanë bërë që kosovarët të mos e shohin më Shqipërinë si vendin, ku ata me shumë dëshirë e kanë zgjedhur për t’i kaluar ditët e nxehta të verës. Çmimet të cilat i ofrojnë hotelet atje, janë shumë të larta për xhepin dhe standardin e kosovarëve.

Në hotelet të cilat ofrojnë shërbimin All Inclusive, vështirë të gjesh kosovarë. Hotelet në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit ishin plot turistë të huaj, por shumë pak apo fare nuk kishte kosovarë.

Të vetmit turistë nga Kosova ishin kosovarët të cilët jetojnë jashtë vendit, e të cilët ankoheshin për çmimet të cilat i ofrojnë hotelet në Shqipëri. Por kishte dhe nga ata që mendonin se nuk do ta vizitojnë më bregdetin shqiptar dhe se me këto çmime Shqipëria rrezikon të braktiset nga turistët kosovarë.

Të pyetur nga Indeksonline turistët kosovarë, pohuan se çmimet janë tejet të larta, krahasuar me atë së cfarë ofrojnë këto hotele për  turistët.

Arbnora Kolgeci nga Suhareka e cila jeton në një vend evropian, thotë se çmimet në Shqipëri këtë vit janë shumë të larta dhe më të larta se në bregdetin turk. Ndërsa pohon se nëse këto çmime vazhdojnë të jenë kështu, ajo nuk do ta vizitojë më bregdetin shqiptar.

“Kemi ardhur hera e parë këtu, por shumë shtrenjtë. Ne zakonisht shkojmë në Turqi. Por këtu çmimet janë dhe me shtrenjt edhe pse Shqipëria ende se ka atë standardin që duhet. Në Turqi me fluturime me krejt, është dhe më lirë. Këtu çdo send ekstra po duhet me pagu. 105 euro kemi paguar natën për person. Është shumë shtrejt.  Kemi qenë dhe në Sarandë dhe atje ishte ekstrem shtrenjtë. Për tri ditë i kemi hargjuar afer 1200- 1300 euro.  Në Turqi e ke fluturimin, sherbimi më i mirë dhe ke oferta dhe më lirë. E kemi provuar sivjet s’besoj që vijmë vitin tjetër”, tha ajo.

Edhe Skender Karaqica i cili jeton në Chikago kishe zgjedhur Golemin për t’i kaluar pushimet. Por thotë se qeveritë e dy vendeve duhet të bëjnë diçka që çmimet për kosovarët të mos jenë kaq të larta dhe se për turistët nga Kosova të jenë çmimet më të volitshme.

“ Me standardin e Kosovës është e pamundur me ardhë këtu, është shumë shtrenjtë. Çmimet ndryshojnë nga hoteli në hotel. Prishtina dhe Tirana duhet të merren  vesh. Çmimet janë kujna qysh t’i teket, s’ka kriter. 30 për qind  e turistëve këtu janë nga Polonia dhe Çekia, vijnë këtu dhe i kalojnë pushimet. Kur shkoj me hanger drekë në hotel shumica janë të huaj, më së paku ka kosovar, fare pak bile ata që vijnë jetojnë dhe punojnë jashtë në Evropë. Përndryshe për xhepin e  kosovarëve është shumë shtrenjtë. E kam një sygjerim që Tirana dhe Prishtina, dy qeveritë tona, të merren vesh ta kemi një çmim solid për vitin 2023 që të vijnë kosovarët, e të mos zhgënjehen, por ta kalojnë një pushim të këndshëm në bregdetin tonë dhe të kthehen me kujtime të mira, për të ardhur në atdheun e vet”, tha ai.

Edhe Flamur Murati nga Prizreni i cili  jeton në Zvicër thotë se këtë vit çmimet në Shqipëri janë shumë të larta.

“Për neve ia vlen, por për kosovaret çmimet janë të larta. Këtë vit janë shumë më shtrenjt 30 për qind më shtrenjtë. Vitin e kaluar kam qenë këtu,  kam paguar 65- 70 euro, tash 110 euro.  Çmimet kanë shkuar ekstrem larg. Pak kosovar po shoh. Çmimet esktrem të larta. Unë shkojë dhe në Turqi, në Antalia atje më duket më lirë se këtu”, tha ai.

E çmimet janë të larta dhe për  Zekri Bajrami nga Kaçaniku. Por thotë se Shqipëria është vendi ynë dhe se paratë do që t’i hargjojë vetëm aty.

“Me kalu mirë po kalojmë. Çmimet janë pak më të larta se vjet. Për ata që kanë mirë është, por për do që s’kanë të ardhura sa duhet është pak më shtrenjt. Edhe pse çmimet e larta jemi me të afërt me Shqipërinë. Ato lekë që i kemi më mirë t’i bijmë këtu. Çmimet janë të larta.  Vjet ka qenë 70 euro sivjet 100 euro për person, 30 euro më shtrenjtë“, tha ai./Indeksonline/