14:25 / E Diele, 04 Dhjetor 2022 / MSH

CNN nxjerr sekretet e Kinës në Evropë: Mbi 100 stacione ilegale policore në botë

Kina ka ngritur mbi 100 të ashtuquajtura stacione policore jashtë shtetit, për të monitoruar, intimiduar dhe në disa raste riatdhesuar shtetasit kinezë që jetojnë në migrim.

Kështu shkruan CNN, në një shkrim ekskluziv, ku ndër të tjera thuhet se Pekini ka përdorur marrëveshje dypalëshe të sigurisë me shtete në Evropë dhe Afrikë për të arritur prani ndërkombëtare.

Në mesin e vendeve ku raportohet se kina ka stacione të tilla janë italia, Kroacia, Serbia e Rumania.

CNN, duke cituar organizatën e të drejtave të njeriut me bazë në Madrid, “Safeguard Defenders” ka sqaruar se si Kina ka arritur marrëveshje të përbashkët të patrullimit policor me Kroacinë e Serbinë mes viteve 2018 dhe 2019.

Zyrtarët policorë kinezë janë parë duke patrulluar rrugët e Zagrebit në korrik të këtij viti. Një zyrtar kroat kishte thënë për agjencinë “Xinhua” se patrullimet ishin për “mbrojtje dhe tërheqje të turistëve të huaj”.

Ndërsa një tjetër serb, kishte thënë se kinezët nuk kanë fuqi për të arrestuar. “Safeguard Defenders” ka vlerësuar se kina po përpiqet të kthejë shtetasit kinez në vendlindje, edhe kundër vullnetit të tyre.

Pekini ka mohuar se po dërgon forcat e padeklaruara të policisë jashtë territorit të tij, teksa Ministri i Punëve të Jashtme tha për CNN se të gjitha këto pretendime janë bërë për ta njollosur kryeqytetin.

Në vend të kësaj, Kina ka pretenduar se objektet janë qendra administrative, të krijuara për të ndihmuar emigrantët kinezë me shërbime specifike, siç është rinovimi i patentës.

Po ashtu pekini tha se shumica e administratave u hapën në periudhën e covid 19 për të ndihmuar qytetarët që janë bllokuar në vendet e tjera. Raporti ka nxitur reagime në shumë vende. Irlanda ka mbyllur stacionin e policisë kineze të gjetur në territorin e saj, ndërsa Holanda, që ka marrë masa të ngjashme, ka nisur një hetim. Po ashtu ka nisur hetime edhe Spanja.