12:00 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Çollaku: Përfshirja e Gjermanisë dhe Francës, pikë kthese në procesin e dialogut

Shefi i Kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi, flet për gazetën “Shekulli”. Bekim Çollaku, tregon prapaskenat e takimit të Berlinit. Çfarë u vendos atje, si dhe shpjegon qëndrimin e tij në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Takimi i Berlinit pati si temë qendrore ecurinë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Gjermani ka kërkuar një prezencë më të madhe të saj në këtë çështje. Ajo që preokupon më shumë është çështja e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës kundër mallrave Serbe dhe Boshnjake. Për këtë çështje ka pasur edhe një debat në Berlin.

Sipas një interviste që ka dhënë Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, rezulton se Kryeministri Shqiptar Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ti kenë kërkuar Haradinajt në sytë e Merkleit dhe Macron që të pezullojë taksën kundër Serbisë dhe Bosnjës.

Shefi i kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku. Çollaku nuk është dakord për mënyrën se si e ka trajtuar në publik Kryeministri Haradinaj këtë çështje. Sipas tij, bisedat in formale nuk duhen bërë publike.

Çollaku cilat janë konkluzionet e takimit e Berlinit, a u arritën pritshmërinë  e Kosovës apo jo?

Konkluzionet e takimit të Berlinit janë bërë publike në deklaratën e përbashkët e cila ishte e harmonizuar paraprakisht. Ne e kemi bërë të qartë edhe përpara takimit, se nuk do të këtë asgjë të jashtëzakonshme. Pra, nuk është se kemi pasur pritje për këtë takim sepse nuk mund të ndodhin mrekulli të papritura në takime të kësaj natyre.

Besoni se roli i Berlinit do te jete vendimtar për ecurinë e dialogut Prishtine-Beograd?

Takimi i Berlinit ka qenë i bashkë organizuar në Gjermania dhe Franca, respektivisht Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron. Përfshirja e drejtpërdrejtë e Gjermanisë dhe Francës në mbështetje të procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sigurisht që shënon një moment kthese. Këtë përkrahje dhe përfshirje e kemi kërkuar që një kohë të gjatë dhe është e mirëseardhur. Mirëpo, nuk është e mjaftueshme. Ne mendojmë se marrëveshja eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm në rast se ka një koordinim të plotë ndërmjet shteteve të Quintit, respektivisht SHBA, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe Italisë. Këtë e kemi bërë të qartë edhe në takimin e Berlinit. Roli i SHBA-ve në këtë proces mbetet vendimtar bazuar në përvojën e deritanishme nga të gjitha proceset që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor. Prandaj shpresoj se nga tani e deri në takimin e radhës në Paris, ka kohë të mjaftueshme që një koordinim i tillë të ndodhë.

Sipas jush ka dështuar Federica Mogherini në angazhimin e saj për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë?

Në asnjë rrethanë jo. Përkundrazi. Roli i ndërmjetësues i Përfaqësues së Lartë të BE-së znj. Federica Mogherini mbetet i padiskutueshëm sepse dialogu si proces është i dizajnuar të zhvillohet nën përkujdesjen e BE. Për më tepër, ndërmjetësuesja  Mogherini ka përkrahjen e plotë të shteteve anëtare të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, që të vazhdoj me përpjekjet e saja në kuadër të këtij procesi deri në fund të mandatit të saj. Ajo gëzon edhe përkrahjen e SHBA-ve në përpjekjet e saja që palët të arrijnë marrëveshje. Personalisht, mendoj se znj. Mogherini ka barë përpjekje të jashtëzakonshme që të nxis palët të ofrojnë qëndrimet e tyre për të arritur marrëveshje. Se a do t’ia dalë të arrijë një gjë të tillë deri në fund të mandatit të saj, mbetet të presim.

A jeni optimist se ketë vit Bashkimi Evropian do te mund te realizoje liberalizmin e vizave për qytetaret e Kosovës?

Optimizmi dhe durimi i kosovarëve për të marrë liberalizimin e vizave nga BE-ja, është keqpërdorur skajshmërisht. Sigurisht se këtij diskriminimi që na bëhet në vazhdimësi nga BE-ja, një ditë do t’i vije fundi. Nuk do të mund të na mbajnë padrejtësisht dhe pafundësisht të izoluar.

Po ne lidhje me vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, a mund te na tregoni se cilat do te jene hapat e ardhshëm për këtë çështje?

Kjo çështje ndërlidhet me qeverinë e Republikës së Kosovës dhe vendimet e saja. Vendosja e taksës ka qenë vendim i drejtë dhe legjitim. Vazhdimi i dialogut nuk guxon të ndërlidhet me këtë çështje sepse parimi udhëheqës i pashkruar i negociatave të deritanishme ka qenë, se asnjëra palë nuk mund ta kushtëzoj dialogun. Pra, dialogu nuk ka alternativë dhe duhet të vazhdoj pa kushtëzime.

Si e shikoni rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë?

Unë nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rolin vendimtar që SHBA kanë luajtur për Kosovën në të gjitha proceset e deritanishme. Situata e njëjtë vazhdon edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Roli i SHBA-ve mbetet vendimtar dhe i pazëvendësueshëm për arritjen e marrëveshjes eventuale.

Presidenti Hashim Thaçi flet vazhdimisht për korrigjim te kufijve dhe jo për shkëmbim territoresh me Serbinë. Çfarë nënkupton me këtë ide?

Mendoj se kjo çështje është sqaruar shumë mirë dhe nuk ka paqartësi. Kurdo që do të mund të arrihet marrëveshja me Serbinë, Kosova duhet ta bëj demarkimin e kufirit me Serbinë, ashtu siç e kemi bërë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kurse në anën tjetër, shteti i Kosovës e ka për detyrë që të bëj çmos që aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës për t’iu bashkangjitur Kosovës, të bëhen realitet. Kaq!

E fundit ka të bëjë me deklaratën e fundit të Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. A ka pasur një komunikim midis Ramush Hardinaj dhe Edi Ramës për çështjen e taksës ndaj mallrave serbe, në prani të Kancelares Angela Merkel?

Është absurde dhe krejtësisht jo etike të komentosh në publik bisedat joformale që zhvillohen në takime të këtij niveli. Por një gjë e di mirë, kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, një pjesë të madhe të fjalimit të tij e ka shpenzuar duke bërë përpjekje që të bind Kancelarën Merkel dhe Presidentin Makron për domosdoshmërinë që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.