Costa nga Samiti i NATO-s: Qytetarët evropianë presin mesazh të qartë të NATO-s për sigurinë evropiane
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa tha sot se qytetarët evropianë presin që Samiti aktual i NATO-s në Ankara të japë mesazh të qartë se aleanca mbetet gur themeli i mbrojtjes dhe parandalimit të kontinentit.
“Ajo që qytetarët evropianë presin nga ky Samit i Ankarasë është mesazh i qartë se ne mund të vazhdojmë të mbështetemi në NATO për mbrojtjen e tyre dhe për parandalimin tonë, bazuar në marrëdhëniet shumë të forta transatlantike”, tha Costa në komentet së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në kryeqytetin turk Ankara, shkruan Anadolu.
Costa tha se Evropa po merr përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj, ndërsa mbetet e përkushtuar ndaj aleancës. “Shtetet tona anëtare, siç e pranoni ju, po përmbushin angazhimet e tyre dhe Evropa po merr përgjegjësi më të madhe në mbrojtjen tonë dhe tani ne duhet të vazhdojmë”, tha ai.
Von der Leyen përsëriti se “një Evropë e fortë është një NATO e fortë”, duke thënë se BE-ja ka mobilizuar deri në 800 miliardë euro deri në vitin 2030 për të forcuar bazën e saj industriale të mbrojtjes.
Rutte theksoi ndarjen e përgjegjësive midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke thënë se aleanca fokusohet në aftësitë ushtarake, standardet dhe komandën dhe kontrollin ndërsa BE mbështet qëndrueshmërinë, infrastrukturën, bazën industriale të mbrojtjes dhe financimin.
Ai vlerësoi përpjekjet e bllokut për të mobilizuar fondet për mbrojtjen nëpërmjet nismave të tilla si Veprimi i Sigurisë për Evropën (SAFE), duke theksuar se bashkëpunimi më i ngushtë NATO-BE është thelbësor në mjedisin aktual të sigurisë.
Samiti dy-ditor i NATO-s në Ankara po mbledh së bashku liderët e aleancës prej 32-anëtarësh si dhe partnerët kryesorë për të diskutuar kapacitetin mbrojtës të Evropës, objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës, modernizimin ushtarak dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.

