11:59 / E Shtunë, 01 Maj 2021 / A. M.

COVID-19 dhe Bota e Punës së Denjë

Nga: Majlinda Bregu (Sekretare e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal)

Rreth një e katërta e të rinjve në Ballkanin Perëndimor janë NEET – pra as të punësuar, as në proces arsimimi apo trajnimi (të dhënat e vitit 2019). Për më tepër, nga totali i të papunëve të regjistruar në fund të shkurtit 2021, 173,031 janë të rinj, nën moshën 24 vjeç, që përbën më shumë se 12% të të gjithë të papunëve të regjistruar.

“Unë besoj shumë në fat dhe e shoh sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam”. Thomas Jefferson

Të gjithcve na pëlqen ta shikojmë 1 Majin – Ditën e Punës si një festë e rëndësishme që shënon të drejtat e punës, por gjithashtu si një ditë argëtuese për të shijuar natyrën, dhe të gjithë shpresuan vitin e kaluar që kjo ditë do të rikthehej e lavdishme. Por ja që ky është viti i 2-të radhazi që 1 Maji vjen nën rrethana krejtësisht të pazakonta, të diktuara nga pandemia e COVID-19. E kush e di, a e kemi parë ende gjithçka që kemi për të parë…

Ajo që kemi parë dhe kuptuar deri tani është rëndësia e sektorit shëndetësor dhe puna e madhe që po kryejnë punonjësit e shëndetësisë në të gjithë botën për të përballuar pandeminë dhe për të shpëtuar jetënt tona. Po kaq shpejt, kuptuam gjithashtu se mund të rregullojmë dhe ndryshojmë zakonet tona me shpejtësinë e erës për t’iu përgjigjur më së miri krizës. Për ata fatlumë, të cilët ishin në gjendje të mbanin punën e tyre, thjesht duke ndërruar zyrën me shtëpinë duke “punuar nga shtëpia” ose thënë ndryshe duke ‘jetuar në punë’, do të thoshte një mënyrë jetese e re duke ruajtur ekuilibrin mes punës dhe shtëpisë në të njëjtën kohë. Për disa pozicione pune ishte shumë e vështirë të përshtateshin me realitetin e ri të distancimit fizik, të punuarit në distancë, izolimit, etj. Me këtë nënkuptoj – çfarë bënë parukierët nëse flokët me model nuk ishin më të rëndësishme për klientët që qëndruan mbyllur në shtëpitë e tyre, gjatë izolimit? Apo kur sallonet e tyre thjesht u mbyllën? Çfarë do bëjnë ofruesit e shërbimeve të turizmit, nëse udhëtimet shndërrohen në të rrezikshme për shëndetin? Duhet të gjejnë modele të reja në mënyrë që bizneset e tyre të mbijetojnë.

Në Ballkanin Perëndimor (BP) shumë njerëz, ashtu si në pjesën tjetër të botës e kanë kaluar vitin e shkuar, duke mësuar se si të mbrojnë punën dhe jetën e tyre. Para krizës së COVID-19, tregjet e punës në Ballkan karakterizoheshin nga nivele relativisht të larta të papunësisë (midis 10.9% në Serbi dhe 25.2% në Kosovë* në 2019-ën), veçanërisht nëse i krahasojmë me BE; Pasiviteti i lartë (varion midis 59.5% në Kosovë* dhe 39.4% në Shqipëri në 2019); Nivele të ulëta të punësimit me një pjesë të konsiderueshme të kontratave të përkohshme dhe punësimit joformal (midis 18% dhe 30%, në varësi të ekonomisë së BP dhe një burimi). Gjithashtu, një nga karakteristikat dalluese të papunësisë në rajonin tonë ishte një numër i lartë i papunësisë afatgjatë. Ja kështu na goditi virusi Korona…

Le të shohim se çfarë na tregojnë shifrat e Observatorit ESAP të RCC: Në fund të Shkurtit 2021, numri total i të papunëve të regjistruar, kumulativë[1] në ekonomitë e BP6 ishte në mbi 1.4 milion qytetarë, krahasuar me Shkurtin 2020, kur kjo shifër ishte rreth 1.24 milion qytetarë. Matematika e thjeshtë tregon se nga shkurti 2020 deri në shkurt 2021 ka pasur një rritje të numrit total të të papunëve të regjistruar në Ballkanin Perëndimor prej rreth 164,500 qytetarëve, që është rreth 13.2% rritje në numrin e përgjithshëm të të papunëve të regjistruar në këtë periudhë 12 mujore. Këto shifra për ekonomitë e BP fshehin ndryshime të rëndësishme individuale, për çdo ekonomi të BP6. Në disa ekonomi, nuk ka pasur pothuajse asnjë rritje të të papunëve të regjistruar në këtë periudhë, ndërsa në të tjera kjo rritje ka qenë shumë më e lartë sesa do të sugjeronte mesatarja rajonale.

Kur nuk ka pasur një rritje të madhe të të regjistruarve si të papunë, tregu i punës mund të jetë përshtatur me goditjet ekonomike të shkaktuara nga COVID-19 përmes shkurtimit të orëve të punës apo nëpërmjet punës në distancë për punonjësit, sesa përmes heqjes nga puna. Dhe megjithëse këto mekanizma rregullatorë ndihmuan që punëtorët të mbajnë punët e tyre aktuale dhe të shmangin një rritje të konsiderueshme të papunësisë, këto mekanizma mund të shkaktojnë një ulje të pagës totale për punëtorët, veçanërisht punëtorët me arsim të ulët dhe me aftësi të ulëta, siç tregon hulumtimi i ILO. Për më tepër, punëtorë të tillë priren të jenë të mbi-përfaqësuar në sektorët që ishin edhe më të prekurit nga pandemia (të tillë si sektori i turizmit, tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti dhe magazinimi, etj.). Dhe pastaj ka nga ata punëtorë në zonën gri, të prirur për t’u pushuar nga puna në sinjalet e para të krizës, por më e rëndësishmja është që kjo kategori ishte rinia.

Ne mund të vazhdojmë të listojmë të gjitha dobësitë e tregjeve tona të punës që nxorën kokën e tyre të shëmtuar gjatë kësaj krize, por nuk ka nevojë ta bëjmë këtë. Secili prej nesh ka të paktën një anëtar të familjes ose mik, puna e të cilit u rrezikua nga pandemia.

Dhe çfarë mund të themi rreth rinisë?

Rreth një e katërta e të rinjve në Ballkanin Perëndimor janë NEET – as të punësuar, as në proces arsimimi ose trajnimi (të dhënat e vitit 2019). Për më tepër, nga totali i të papunëve të regjistruar në fund të shkurtit 2021, 173,031 janë të rinj, nën 24 vjeç, që përbëjnë më shumë se 12% e të gjithë të papunëve të regjistruar. Dhe së fundmi, ekziston edhe ‘ikja e trurit’ të të rinjve – një sfidë e njohur demografike për rajonin tonë. A ka dikush nevojë të bindet më tepër që duhet të veprojmë për t`u dhënë të rinjve një mundësi për një punë?

Duke pasur parasysh nevojën e dukshme për të vepruar, ne duhet të synojmë lartë – për Garancinë e Të Rinjve në BP. Garancia e të Rinjve nënkupton mundësitë për punësim, arsimim, trajnim ose praktikë për ta. Konkretisht, në Ballkanin Perëndimor, projekti RCC ESAP 2 ka kryer një studim analitik, gjithëpërfshirës mbi punësimin e të rinjve në gjashtë ekonomi të Ballkanit Perëndimor, me 6 harta udhërrëfyese politikash, individuale për secilën ekonomi; Ky raport dhe gjashtë udhërrëfyes politikash u ndanë me 6 qeveritë e BP, së fundmi. Ne në RCC jemi të gatshëm të mbështesim qeveritë partnere që të kenë Garancinë e Të Rinjve për rajonin tonë dhe programe të tjera rinore, duke gjeneruar mundësi më të mira pune për të rinjtë.

Le të mësojmë nga kjo krizë dhe le ta përdorim këtë si një mundësi për procesin e rimëkëmbjes, për të ndërtuar një botë më të mirë pune. Të krijojmë një treg pune si mjedis i dialogut, mundësive të barabarta, vendit të sigurtë dhe të mbrojtur në të cilin lulëzojmë duke siguruar të ardhura për veten tonë, familjet tona, komunitetet dhe shoqërinë tonë. Thënë thjesht – punë të denjë!

Le të punojmë të gjithë së bashku për të mposhtur kërcënimin e përbashkët shëndetësor dhe të rimëkëmbim vendet e punës!

Qëndroni të shëndetshëm, mbroni veten dhe të tjerët!