08:39 / E Shtunë, 30 Maj 2020 / indeksADMonline

COVID-19 përçan shtetet e Amerikës

Në Shtetet e Bashkuara, lufta kundër pandemisë Covid-19 është duke thelluar përçarjen midis republikanëve dhe demokratëve. Përballë vendimeve të shkencëtarëve dhe kufizimeve shoqërore që ata mbështesin, përkrahësit e Presidentit Donald Trump janë duke kërkuar të drejtat e tyre të përcaktuara në Ndryshimin e Parë dhe të Dytë të Kushtetutës së SHBA-së, shkruan France24.

“Të jetosh i lirë ose të vdesësh”, “Virus i rremë, ligje që vrasin lirinë!” Këto janë mesazhet që mund të lexohen në protestat kundër bllokimit që po rriten në shtetet jugore të SHBA-së.

Koronavirusi po përkeqëson tensionet politike dhe po thellon ndarjet midis demokratëve dhe konservatorëve. Disa amerikanë, veçanërisht mbështetësit e Donald Trump, po rimarrin të drejtat e tyre kushtetuese, të drejtën për të mbajtur armë, lirinë e fesë apo edhe lëvizjen e lirë duke minuar kështu masat e urgjencës të vendosura nga autoritetet për të luftuar kundër pandemisë, raporton abcnews.al

Në Florida, një nga shtetet më të prekur nga Covid-19, guvernatori republikan Ron DeSantis, një përkrahës i Trump, ka deklaruar dyqanet e armëve si biznese thelbësore, ka nxjerrë një dekret për autorizimin e ceremonive fetare dhe lejimin e kryetarëve të bashkive të vendosin nëse do të rihapnin plazhet dhe hotelet.

Ndërkohë në Luiziana, disa pastorë po kundërshtojnë guvernatorin demokrat në emër të lirisë fetare dhe po vazhdojnë të mbajnë ceremonitë fetare pa respektuar distancat sociale.

Në mes të kësaj krize shëndetësore lindin pyetjet, si ta luftojmë pandeminë duke respektuar Kushtetutën e SHBA-së, e cila garanton lirinë individuale? A po e rrezikon koronavirusi vendin?