15:40 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / OSH

Covid-19 shënon qindra viktima në ditë, fotoja e përqafimit prekës mes mjekut dhe pacientit bëhet virale

Situata e infeksioneve me Covid-19 është kthyer në shumë stresuese dhe strapacuese për të gjithë.

Në 24 orë shënohen qindra e mijëra viktima, ndërkohë që bluzat e bardha në të gjithë botën po bëjnë ç’të munden për të mbajtur në jetë pacientët.

Fotoja e një mjeku në Texas të SHBA dhe e një pacienti teksa përqafojnë njëri-tjetrin si për t’i dhënë forcë po bën xhiron e rrjetit.

Sipas mediave të huaja, ky përqafim tregon gjendjen emocionale nëpër të cilën po kalojnë amerikanët, të cilët ditën e dielë festuan “Ditën e Falenderimeve” ndryshe nga çdo herë tjetër.

Autori i kësaj fotografie ka treguar se shoku i tij i dhomës në spital, pra i moshuari, po ndihej keq që në këtë ditë festive nuk mund të ishte me familjarët e tij sepse ishte pozitiv me Covid-19.

“Dua të qëndroj me bashkëshorten time të përqafuar”, ka treguar i moshuari, ndërkohë që mjeku është afruar për ta ngushëlluar me një përqafim.

Në Teksas që prej nisjes së pandemisë janë shënuar 21.800 viktima, duke e kthyer gjendjen pandemike në një situatë mjaft alarmante.