16:32 / E Martë, 15 Shtator 2020

Covid në Francë/ Dyfishohen çdo dy javë rastet e infektimeve… spitalet në alarm

Zyrtarë të lartë të shëndetësisë në Francë paralajmëruan sot se numri i rasteve me COVID-19 po dyfishohet çdo dy javë në radhët e popullsisë së Parisit dhe se të prekurit mund të kërkojnë terapi intensive në repartet e terapisë intensive tashmë të mbipopulluara.

Sikurse vende të tjera europiane, Franca është përballur me një rritje të re të rasteve me Covid, ndërsa qeveria ka premtuar shtimin e testeve dhe forcimin e masave në zonat me infeksion të lartë, me synim për të shmangur një rikthim të bllokadës së përgjithshme të vendosur më herët gjatë vitit.

Drejtori i spitaleve të rajonit të Parisit, Martin Hirsch deklaroi se pavarësisht një ritmi më të ulët të infektimeve krahasuar me pranverën, numri i shtrimeve në spitale po dyfishohet çdo muaj.

“Rastet dyfishoheshin çdo tre ditë në fillim të marsit, ndërsa tani dyfishimi ndodh çdo dy javë. Të paktën kështu konstatuam javën e kaluar. Në spitalet tona, shifra e të shtruarve dyfishohet çdo tre javë ose çdo muaj, pra po dyfishohet më ngadalë dhe kjo është arsyeja përse nuk po ndjejmë të njëjtën shkallë urgjence që ndjemë në pranverë. Por sërish shifrat po rriten, ndaj dhe ne duam ta ndryshojmë këtë trend dhe mund ta bëjmë”, është shprehur Hirsch.

Franca ka regjistruar gjatë 24 orëve të kaluara 7183 raste të reja Covid dhe 6 vdekje.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins totali i të identifikuarve pozitiv është rritur në 381 004 për një total prej 30916 viktima që prej fillimit të emergjencës shëndetësore