16:58 / E Premte, 10 Prill 2020 / indeksADMonline

Cufaj: Trendi i shpërndarjes së virusit COVID-19 në Gjermani është në rënie

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në Radio Prishtina ka bërë të ditur se situata në Gjermani sa i përket pandemisë COVID-19 është më e mirë se në shtetet tjera.

Ai është shprehur se ka rënie të numrit të rasteve të reja të infektuara me këtë virus.

“Nëse shihet në aspektin afatshkurtër, është e vërtetë se ka pasur rritje, por trendi i shpërndarjes së virusit është në rënie, mirëpo është detyra e shtetit e politikës që të mos ketë nguti që të veprohet me kujdes dhe në ditët e në javët në vijim të vazhdojë ky trend i rënies së përhapjes së virusit”, tha ai.

Cufaj deklaroi tutje se mbi 110 mijë persona janë të infektuar me koronavirusin e ri në Gjermani. Ai ka kërkuar nga kosovarët që jetojnë atje të kenë kujdes, sidomos në këto ditë feste, në mënyrë që të mos përhapet edhe më tej virusi. “Është kaluar 110 mijë numri i të infektuarve, ndërsa 2 mijë e 400 janë të vdekur. Nëse hiqet numri i të shëruarve, atëherë në Gjermani situata është shumë më e mirë se në shtetet tjera. Mirëpo kjo nuk mjafton, nëse shihet edhe dyfishimi i numrit të të infektuarve, Gjermania sot është në ditën e 17-të, që do të thotë trendi është shumë pozitiv. Ne ftojmë komunitetin që të jetë i kujdesshëm, sidomos në këto ditë të festive, që virusit t’i pamundësohet përhapja. Nuk ka nevojë për panik, situata është duke shkuar mirë’, shtoi ai.