Sadiku: LDK-ja e ruajti elektoratin, do të punojmë për ta rikthyer besimin e votuesve të pakënaqur
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ermal Sadiku, ka vlerësuar se partia e tij ka arritur të ruante bazën tradicionale të votuesve në zgjedhjet 7 qershorit, por nuk ka pasur kohën e nevojshme për të zgjeruar mbështetjen dhe për të tërhequr elektorat të ri.
Duke komentuar rezultatin zgjedhor, Sadiku tha se LDK-ja duhet të fokusohet në rikthimin e besimit të votuesve të pakënaqur, duke theksuar se programi dhe ekipi i partisë ofrojnë alternativa të besueshme për qytetarët.
“LDK-ja e ka ruajtur votuesin e saj, megjithatë s’kemi mbërri me mobilizua votë të re. Votuesin e pakënaqur duhet menduar se si ta kthejmë besimin e tij, sepse kemi çka me iu ofrua me programin tonë. LDK-ja ka ekip të mirë, nuk është në rrugë të keqe. Për rezultate më të mira nuk kishte edhe shumë kohë, sepse s’kemi mund me punua më shumë. LDK-ja meriton më shumë sesa ky rezultat”, deklaroi ai në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Sadiku shtoi se rezultati aktual nuk pasqyron potencialin e plotë të partisë, duke theksuar se LDK-ja meriton mbështetje më të madhe.
Ai komentoi edhe nivelin e ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje, duke e cilësuar si një sinjal të fortë për të gjitha subjektet politike.
“Mos dalja e votuesve është mesazh i qartë për të gjithë ne. I kemi lodhë, i kemi trazuar votuesit. Ndihem keq që një numër kaq i madh i qytetarëve nuk ka votuar. Megjithatë, goditjen më të madhe e ka marrë LVV-ja. Sepse, e kanë kuptuar qytetarët që ata kanë qenë bllokuesit e vitit 2025”, deklaroi ai.
Sipas tij, rënia më e madhe politike në këto zgjedhje është reflektuar te Lëvizja Vetëvendosje, për të cilën tha se është ndëshkuar nga votuesit për shkak të zhvillimeve politike pas zgjedhjeve të vitit 2025.
LDK-ja në zgjedhjet e djeshme në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së ka marrë 17.58%, LVV-ja është radhitur e para me 42.91%, ndërsa e dyta PDK-ja me 21.12%.

