18:25 / E Mërkurë, 11 Shtator 2019 / indeksADMonline

CV-ja skandaloze: Zbulohet deputeti që la nam me vetëdeklarimin

CV-ja e një deputeti të ri të Kuvendit të Shqipërisë është bërë objekt gallatë në rrjetet sociale. Në pjesën e eksperiencës së punës dhe angazhimit të mëparshëm ai shkruan se ka patur “eksperiencë kombëtarë, ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare”.

Kaq ka mjaftuar që rrjeti të shpërthejë në të qeshura duke theksuar njëkohësisht se Kuvendi sot është në ditën e tij më të zezë.

“Panorama” shkruan se bëhet fjalë për deputetin KostaqPapa, pjesë e opozitës së re, i cili ka hyrë në Parlament nga lista e partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës.

KostaqPapa është kreu i Partisë Emigracioni Shqiptar dhe ai shkruan në CV e tij se ka eksperiencë pune si “Konsulent Juridik Ndërkombëtar”. “ Koordinator Universitar” dhe “Drejtues në Institucionet e Shoqërisë Civile”.

Ndërkohë që si aktivitet shoqërore dhe politike shkruan se ka pasur “Në Institucionet Kombëtare e Mbarëkombëtare dhe Ndërkombëtare”.

Pikërisht ky shënim është bërë objekt i komenteve dhe lajmeve të ndryshme në rrjetet sociale dhe portale.

Por ajo që deputeti i Kuvendit të Shqipërisë shkruan në formularin e dekriminalizimit është akoma më interesante.

KostaqPapa bën të ditur se është dënuar në vitin 2006 për veprën penale “Përdorim me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe për këtë ai ka marrë dënim të formës së prerë dhe ka paguar gjobën 50 mijë lekë të reja.

Ndërkohë që në vitin 2003 është dënuar nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “shpifje”. Ai që bën të ditur se e ka fituar gjyqin në Apelin e Durrësit dhe ka marrë pafajësinë.

Por ajo që bie në sy është fakti se KostaqPapa i ka fshehur këto dënime në vitin 2017, kur u bë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.

Në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në vitin 2017, deputeti i opozitës së re figuron i pastër.

Ndërsa në formularin e vitit 2019, kur i erdhi radha për të hyrë në Parlamentin e Shqipërisë, KostaqPapa ka deklaruar dy dënimet, madje dhe faktin se ka ndryshuar emrin nga “Kostandin” në “Kostaq”.