12:41 / E Enjte, 21 Janar 2021 / A. S

Daka-Konjufcës: Është bërë e lehtë ta sulmosh një nënë që s’e mbron asnjë parti

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, i është kundërpërgjigjur anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili dje tha se Daka po dëshiron ta eliminojë politikisht Albin Kurtin.

Daka në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, si asnjëherë më parë është përgjigjur ndaj deklaratës së një politikani, duke thënë se nuk e mbështet asnjë parti politike.

“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua, një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike dhe që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike. Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka një staf profesional, puna e të cilëve vlerësohet lart në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur”, tha Daka.

Ajo u kërkoi që të gjitha partitë dhe politikanët të mos bëjnë akuza dhe kërcënime dhe t’i lënë që si institucion t’i organizojnë zgjedhjet në mënyrën e duhur.

“Në fund i ftoj të gjithë që të përmbahen nga kërcënimet dhe akuzat, si edhe të respektojnë institucionet e ndërtuara me shumë sakrificë të njerëzve të vendit tonë dhe të na lejojnë t’i organizojmë zgjedhjet siç parashihet me ligjin dhe me Kushtetutë”, tha Daka.

“Po ndjehen disa shenja të një rreziku të demokracisë. Po bëhet cenimi i parimit të sigurisë juridike. Po bëhet ndryshimi i rregullave të lojës në mes të lojës për Albin Kurtin dhe të tjerët. Kushtetuta është e njëjta që nga viti 2008. Kurti dhe të tjerët e kanë kryer një veprim në të mirë të Kosovës për ndërprerjen e një seance të Kuvendit ku Kosova i humbi shumë hektarë tokë me demarkacionin”.

Konjufca, dje në RTV Dukagjini foli për shenja të “rrezikimit të demokracisë”, ndërsa nuk hezitoi ta akuzojë direkt kryetaren e institucionit për organizimin e zgjedhjeve.

“Po ndjehen disa shenja të një rreziku të demokracisë. Po bëhet cenimi i parimit të sigurisë juridike. Po bëhet ndryshimi i rregullave të lojës në mes të lojës për Albin Kurtin dhe të tjerët. Kushtetuta është e njëjta që nga viti 2008″, tha Konjufca.

“Personi që në KQZ po ndikon që edhe kërkesa me qenë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka”, theksoi ai.