11:05 / E Martë, 25 Shtator 2018 / indeksADMonline

Dalin pagat e gjithë veteranëve, Haradinajt i shkon në vend “amaneti”

Ndonëse u krijua polemikë e madhe se afro 20.000 veteranëve  “mashtrues” (të cilësuar nga Prokuroria e Shtetit) do t’iu ndalet pagesa mujore, kështu nuk po del të jetë.

Indeksonline mëson se dje dhe sot është zbatuar pagesa për gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë të përfshirë në listat zyrtare.

Ky fakt është konfirmuar edhe nga kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj.  Sipas tij, pensionin do ta vazhdojnë ta marrin të gjithë dhe askujt nuk do t’i ndalohet derisa gjykata të marrë një verdikt në lidhje me këtë çështje.

“Askujt nuk i ndalet pensioni, deri sa për të nuk vendosë një gjykatë. Pra pensionin do të vazhdojnë me i marrë të gjithë, të rrejshëm e të pa rrejshëm. Derisa nuk ka një vendim gjykate, do të respektohen të gjithë“, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit është deklaruar se gjithë përfituesit e kundërligjshëm do t’i propozohet Gjykatës që në bazë të dokumentacionit të rishikuar të mos u zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i punëve të jashtme, Behgjet Pacolli kishte propozuar se nëse zbulohet se në lista ka veteranë të rrejshëm, mjetet që i merrnin ata, të shkojnë tek familjet e atyre që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kohës së luftës, të vrarë, të zhdukur, apo të gjymtuar e dhunuar.

Pacolli, përmes një postimi në , kishte shkruar , se po ndjek me vëmendje të ashtuquajturën çështje të veteranëve të rrejshëm dhe e mirëkupton qëndrimin e aleatëve amerikanë rreth saj.

“Nëse zbulohet se në lista ka veteranë të rrejshëm, unë do propozoj që mjetet që i merrnin ata, të shkojnë tek familjet e atyre që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kohës së luftës, të vrarë, të zhdukur, apo të gjymtuar e dhunuar. Shteti i Kosovës, shoqëria ja u ka borxh këtyre familjeve që kanë një, dy apo më shumë viktima. Unë vetë ndihmoj shumë prej tyre, por shteti duhet të ndihmojë institucionalisht. Kështu do të bënim drejtësi të vërtetë me viktimat e luftës” , kishte shkruar Pacolli. /Indeksonline/