10:49 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Dalin para Gjykate të akuzuarit për terrorizëm, këto janë deklaratat (Foto)

Është mbajtur seanca për të akuzuarit Flamur Gashi, Kenan Blakaj, Artan Ahmeti, Lulzim Gashi, Leotrim Musliu dhe Besart Peci, të cilët janë të akuzuar për veprën penale “përgatitje e veprave terroriste” .

Të njëjtit janë zënë nga policia gjatë përgatitjes së veprës penale, duke dashur të sulmonin gjatë kohës kur luhej ndeshja futbollistike Shqipëri-Izraeli në stadiumin “Loro Boriqi”

Objekt i shqyrtimit të ditës së sotme është aktakuza me numër 56/2 me datë 13 qershor 2017. Kështu ka thënë gjykatësi Hamdi Ibrahimi gjatë mbajtjes së seancës.

Sipas Ibrahimit, të akuzuarit kanë kryer vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Për të akuzuarit, Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi për shkak se kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, paragrafi 1 në nenin 145 dhe neni 31 të kodit penal të Republikës së Kosovës për të akuzuarit Arton Ahmeti dhe Lulzim Gashi për shkak se kanë kryer vepra penale “përgatitja e veprave terroriste” ose vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se secili nga të akuzuarit kanë kryer vepra penale, si import, eksport, furnizim. Transportim e prodhim te paautorizuar të armëve dhe materieve shpërthyese.

“Visar Ibishi dhe Kenan Blakaj për shkak se secili veç e veç kanë kryer veprën penale import, eksport, furnizimi, transportimi, prodhimi, shkëmbimi dhe shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse. Për të akuzuarin Lulzim Gashi për shkak të veprës penale organizim dhe pjesëmarrje ne grup terrorist, për të akuzuarin Leotrim Musliu dhe Besart Peci, për shkak se secili veç e veç kanë kryer veprën penale mbajtje ne pronësi dhe kontrollës së paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 1 i kodit penal të Republikës së Kosovës. Për të akuzuarin Leotrim Musliu se ka kryer veprën penale fshehje ose moslajmërim i grupeve terroriste”, ka shtuar Ibrahimi./Indeksonline/