09:21 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2024 / k.v

DASH-i thotë se bisedimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se bisedimet në Bruksel për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, duhet të vazhdojnë me urgjencë.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar një zëdhënës i DASH-it, për Radio Evropën e Lirë.

Të martën emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se janë shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj sipas tij, duhen takime shtesë.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, ka deklaruar se nuk u diskutua për Rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë. Ndërsa, delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviq, i cili tka thënë se Rregullorja e BQK-së kërkon zgjidhje në nivel politik.

Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Në komunikatë thuhet se BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.