20:25 / E Hënë, 02 Prill 2018 / indeksADMonline

“Deklaratat e Erdoganit s’janë kërcënim për Haradinajn”

Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, ka komentuar kërcënimet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan ndaj kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Por sipas tij, këto nuk janë në fakt kërcënime.

“Këto janë komente pasi Turqia është në vitin elektoral dhe dëshmon se raporti tek shtetet e mëdha si Turqia, Anglia, Gjermania, Amerika e të tjera nuk i fitojnë votat me zhvillimet ekonomike, sepse u mungon papunësia dhe problemet tjera që ne i kemi politika ditore”.

“Këto vende fitojnë vota me faktorizimin e politikave të tyre jashtë vendeve të tyre”.

“Kemi mbi 5 milionë shqiptarë në Turqi, janë 5 milionë vota sepse kryeministri i Kosovës del në kundërshtim në raportin me Turqinë”.

“Është benefit i cili është votë – është elektorale”.

Çerkezi ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se Turqia nuk ndërhyn në politikën e Kosovës.

“Nuk ndërhyn kultura dhe politika turke në formën e vrazhdë si mendojmë ne, që do të na ndryshojë kryeministrin apo jo. Janë gjëra që Turqia i ka kaluar, Turqia merret me politikë serioze botërore dhe jo me ndryshimin e një kryeministri të Ballkanit”.

“Kryeministri është dashur të reagojë brenda për brenda, ai nuk ka qenë në dijeni fare. Kur nuk merret vesh me Ministrin e Jashtëm, me Presidentin, çfarë t’i themi tash Erdoganit kur i ka humbë udha në oborr brenda vetes”.

Ai ka deklaruar se nuk i sheh në rrezik marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, pas zhvillimeve të fundit, me deportimin e gjashtë shtetasve turq.

“Nuk i shoh në rrezik. Nëse e shohim, edhe ndihma e NATO-s në kohën e luftës edhe raporti me Amerikën edhe Evropën, ne jemi urë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe duhet ta kuptojmë rëndësinë dhe peshën e kësaj ure”.

“Zoti na ka falë në këtë vend dhe jemi urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit me politikat, fetë, raportet, ekonomitë dhe këto dallgë që fryjnë ose raporti NATO-Kosovë ishte pikërisht me popullin e Kosovës e jo me politikën e Kosovës”.

“Edhe Bashkimi Evropian merret me popullatën e jo politikën. Raporti i Turqisë është me qytetarët, nuk ka të bëjë me kryeministrin e sotëm që nesër nuk është ose me një president që është sot e nesër vjen tjetër”.

“Raportet e vendeve serioze nuk i bëjnë politikat me seriale por i bëjnë politika të shtruara dhe të pjekura mirë”.

Çerkezi ka thënë se duhet analizuar nëse duhet të lejohen në të ardhmen operacione të ngjashme, nëse kërkohen sërish nga Turqia.

“Këtë duhet analizuar, duhet parë argumentet, faktet dhe konventat, duhet parë edhe Kushtetutën dhe ligjet tona, i takon sektorit të diplomacisë në raport me Turqinë se si duhet të sillen”.

Por ai ka insistuar se duhet të ketë bashkëpunim me shtetin e Turqisë.