20:49 / E Martë, 04 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Deliu: E kuptoj zhgënjimin e qytetarëve, por ne e thamë atë që na u tha në takime për viza

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Blerta Deliu – Kodra, ka thënë se e kupton zhgënjimin e qytetarëve pas deklaratave të komisionerit, Johannes Hahn, i cili dje theksoi se për kosovarët nuk ka liberalizim vizash as këtë vit.

Deliu në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit tha se Kosova nuk po kërkon as më pak e as më shumë se liberalizim të vizave, raporton Indeksonline.

“Kosova ka përmbushur 95 kritere. Është proces tejet i ndarë procesi i përafrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. E kuptoj mllefin e qytetarëve nga deklaratat e Hahn ku hapur u tha se Kosova s’do të ketë liberalizim deri më 2020. Ne kemi deklaruar vetëm atë çfarë na e kanë thënë gjatë takimeve, këtë e dinë edhe opozita”, ka thënë Deliu.

Sipas saj, është lajm i keq që Kosova nuk është pjesë e Këshillit.

”Ne do të vazhdojmë që të kemi kërkesë të qartë që shtetet të cilat kanë hezitime të kenë qëndrim të ndryshëm. Ne i kemi plotësuar kushte dhe nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak. Liberalizimi do të ndikonte qartë në stabilitetin e vendit duke sjell Kosovën më afër BE-së”, ka përfunduar Deliu. /Indeksonline/