16:47 / E Shtunë, 10 Tetor 2020 / indeksADMonline

‘’Delta’’ zbarkon në Luiziana, uragani i dhjetë brenda vitit që godet Amerikën

Uragani “Delta” zbarkoi mbrëmjen e së premtes në brigjet e Luizianës, me erëra të egra dhe fuqinë në rritje që u kthye në kërcënim për jetën e qytetarëve, të cilët po rikuperohen nga një stuhi e dy muajve më parë.

“Delta” u kthye në stuhinë e dhjetë që godet Shtetet e Bashkuara brenda vitit, duke shënuar sipas meteorologëve një shifër rekord.

Uragani zbarkoi në afërsi të lokalitetit Kriol, si stuhi e kategorisë së dytë, nga 5 shkallë gjithësej, me erëra që frynin deri në 155 kilometra në orë.

Sipas qendrës meteorologjike me seli në Majemi, erërat e forta dhe shirat e dendura vazhdojnë të jenë të pranishme në jug të Luizianës.

Lejk Çarls, një qytet në jug-perëndim të këtij shteti, që më 20 gusht u godit rëndë nga uragani “Laura”, ndodhet aktualisht në shtegun e uraganit Delta.

Uragani “Laura”, që ishte i kategorisë 4, shkuli çatitë e shtëpive dhe pemët nga rrënjët e tyre. Në rrugët e qytetit ka ende prani të mbeturinave të shkatërrimit që solli ai.