15:04 / E Martë, 22 Janar 2019 / indeksADMonline

Dembelët vs punëtorët: Shumica e kirurgëve me më pak se 50 operacione në vit

Në Kirurgjinë Abdominale të QKUK-së shumica e kirurgëve nuk i kanë bërë as nga 50 operacione në vit, në mesin e të cilëve është edhe protagonisti i grevës së kirurgëve Dr. Arbër Morina. Ka prej tyre që kanë kryer më pak se 20 sosh, por një nga kirurgët Dr. Ismet Shaqiri ka thyer të gjitha rekordet me 224 operacione në 12 muaj

Është bërë një muaj që kur kirurgët e QKUK-së kanë hyrë në grevë ku po kërkojnë ngritje të pagave. Ata nuk po pajtohen me Sindikatën për të cilën kanë thënë se nuk i ka përfaqësuar interesat e tyre dhe kësisoj kanë vazhduar grevën pa përkrahjen e saj. Kirurgët po kërkojnë paga sikurse të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa nuk kanë pranuar premtimet e qeverisë për ngritje të rrogave deri në 1200 euro me ligjin e ri, i cili pritet të miratohet në fund të janarit.

Por sa kanë punuar kirurgët gjatë vitit të kaluar. Gazeta Shneta ka siguruar raportin zyrtar nga protokollet e klinikës për vitin 2018 të përpunuar nga drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Dr. Rifat Bajrami. Në bazë të këtij raporti, puna e kirurgëve lë shumë për të dëshiruar. Shumica prej tyre nuk kanë bërë më shumë se 50 operacione në vit, e madje ka prej tyre me më pak se 20. Ndërsa një koleg i tyri ka arritur të kryej 224 operacione në 12 muaj.

Dr. Ismet Shaqiri është ‘mbreti’ i klinikës me më së shumti operacione si mjek kryesor. Ai ka realizuar 224 ndërhyrje, ndërsa ka asistuar në 108 raste. Pas tij vjen Dr. Naser Plakolli me 125 operacione si mjek kryesor dhe 61 në cilësinë e asistentit. Në vendin e tretë është Dr. Besnik Bicaj me 82 raste si mjek kryesor dhe 15 si asistent.

Krahas këtyre kirurgëve që kanë thyer rekordet e operacioneve, ka edhe prej atyre që kanë kryer më pak se 50 sosh. Në mesin e tyre është edhe një nga përfaqësuesit e grevistëve Dr. Arber Morina. Ai ka kryer 45 operacione si mjek kryesor dhe 21 si asistent. Me 40 operacione e ka mbyllur vitin edhe Dr. Preveza Abrashi si mjeke kryesore dhe 13 si asistente, derisa zv.ministri Dr. Rrustem Musa ka kryer vetëm 27 operacione si mjek kryesor dhe 32 si asistent.

Por ka edhe më keq se këta. Në dokumentin e raportit të punës mund të shihni edhe emra të kirurgëve që kanë kryer më pak se 20 operacione për një vit. /Gazeta Shneta/